Dogana e Kosovës ka për synim rritjen e efikasitetit në operacione, mbledhjes së inteligjencës dhe përpjekjeve kundër kontrabandës si shtylla themelore të modernizimit dhe efikasitetit, raporton teve1.info
Kështu u tha në një takim në mes të drejtorit të Doganës, Agron Llugaliu, gjatë vizitës në doganën e Francës, me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm Jean-François.
“Vizita e mbështetur dhe e ndjekur nga Programi për Zhvillimin e Ligjit Tregtar të Departamentit të Tregtisë së SHBA-së (CLDP) dhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, kishte për qëllim të forcojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës në modernizimin e operacioneve doganore dhe rritjen e strategjive të menaxhimit të rrezikut. Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm Jean-François DUTHEIL priti me dashamirësi z. Llugaliu, përfaqësuesin e CLDP dhe të Ambasadës Amerikane, duke shprehur kënaqësinë e tij për rikthimin e bashkëpunimit ndërmjet administratave tona doganore”, thuhet në komunikatë.
Sipas njoftimit për medie, Llugaliu konfirmoi përkushtimin e Doganës së Kosovës për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
“Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm z.Llugaliu nënvizoi rëndësinë e madhe të menaxhimit efektiv të rrezikut në operacionet doganore. Ai theksoi nevojën për t’i dhënë përparësi hetimit penal, mbledhjes së inteligjencës dhe përpjekjeve kundër kontrabandës si shtylla themelore të modernizimit dhe efikasitetit”, thuhet në komunikatë.
Ky bashkëpunim nënvizon vendosmërinë e partnerëve për të çuar më tej bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira. Të gjithë partnerët u pajtuan për përshtatshmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit strategjik, thuhet në komunikatën e Doganës.