Sekretari i Zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli, ka alarmuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit dhe ka ndalur së ofruari siguri fizike për të si diplomat.
Ai ka thënë se pavarësisht ankesave dhe kërkesave, kjo praktikë është duke vazhduar dhe siç tha ai se çfarëdo që i ndodhë gjatë shërbimit në Serbi është përgjegjësi e tyre.
“Dëshiroj ta ndaj edhe publikisht, që në shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit, Serbia ka ndaluar së ofruari siguri fizike 24/7 për mua si zyrtar/diplomat, dhe poashtu nuk ofron as siguri mobile. Pavarësisht ankesave dhe kërkesave kjo praktikë po vazhdon. Çfarëdo që mund të më ndodh gjatë shërbimit tim në Serbi – mes tjerash – është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Serbisë!” ka shkruar ai në Facebook.
Haxholli e ka vlerësuar këtë veprim si precedent të rrezikshëm.
“Sigurisht që këtij vendi nuk i konvenon ndonjë prezencë diplomatike e Republikës së Kosovës në Beograd, dhe aq më pak ngritja e statusit diplomatik siç parashihet sipas marrëveshjes për njohje de facto”, ka deklaruar ai teksa ka shtuar se Kosova nuk duhet ta pranojë “kamuflimin e veprimeve kundër zyrës nga institucionet e këtij vendi, me potencial rrezikshmërinë dhe ekspozimin fizik e ligjor”, ka theksuar ai.