Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit Sprovues të Kosovës, Arsim Tahiri, kanë pritur në takim Këshilltarin Rajonal të BE-së për Çështjet e Kundërterrorizmit, Eddy Greif.
Sipas SHKK-së, gjatë takimit u diskutua për programet rehabilituese dhe risocializuese për të burgosurit e dënuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin, si dhe për personat e tjerë me ideologji radikale brenda sistemit korrektues.
Po ashtu, pjesë e diskutimeve ishin edhe trajtimi dhe monitorimi i personave të kësaj kategorie të liruar me kusht.
Në fokus të takimit ishin edhe instrumentet për vlerësimin e rrezikut, me theks në avancimin e mekanizmave institucionalë për parandalimin e radikalizmit dhe fuqizimin e sigurisë brenda institucioneve korrektuese.
“Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe mbështetjes ndërkombëtare në zhvillimin e programeve profesionale për rehabilitim dhe riintegrim”, theksohet në njoftim./teve1.info/







