Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, janë shprehur skeptik se së shpejti do të arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht që ky proces ka filluar tash e një dekadë.
Palët akoma nuk kanë arritur t’i normalizojnë marrëdhëniet me njëra tjetrën edhe pas përpjekjeve të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ta lehtësojnë këtë proces.
Publicisti britanik, Tim Judah, e vlerëson të rëndësishme që palët së paku kanë gatishmëri që të ulen në tryezën e bisedimeve me njëra tjetrën.
Megjithatë, ai i sheh raportet mes Kurtit dhe Vuçiq si shumë të ftohta.
“Ishte një fazë kur dialogu po shkonte mirë, por tani duket se ka ngecur. Duket qartë se raportet mes Kurtit dhe Vuçiqit janë shumë të ftohta sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën e tyre. Historia tregon se kur Vuçiq ishte ministër i informimit, Kurti ishte i burgosur politik, dhe kjo natyrisht që ndikon në dialog. Ndërsa me Thaçin dialogu kishte progres, sepse ai me Vuçiq pavarësisht dallimeve nga e kaluara e tyre e gjenin gjuhën e përbashkët në negociata”, ka thënë Judah.
Më ndryshe e sheh procesin Profesori nga Ëestminster Univerity, Aidan Hehir, i cili thotë se Bashkimi Evropian ka dështuar në mënyrën se si e ka trajtuar Serbinë. Sipas tij, Serbia po tenton ta destabilizoj Kosovën por edhe vendet e tjera në Ballkan.
“Serbia ka nxitur destabilizim në Bosnjë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe vazhdimisht ka kërkuar të pengojë demokracinë në Kosovë përmes bandave kriminale. BE-ja duhet të pranojë se politika e saj e butë ndaj Serbisë ka dështuar dhe qeveria në Beograd përbën kërcënimin e vetëm më të madh për paqen dhe stabilitetin në rajon”
Në anën tjetër Drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, shprehet i bindur se ky proces kurdo që do të përfundoj, Kosova do ta siguroj njohjen nga Serbia. Pavarësisht që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se asnjëherë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës.
“Dialogu do të vazhdojë si mjet për zbutjen e konfliktit derisa të arrihet një marrëveshje e plotë dhe përfundimtare ku Serbia do ta njohë Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj aktualë”, ka thënë Phillips.
Se dallimet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten të mëdha, e thotë edhe Profesori nga Oxford University, Richard Caplan.
“Ka pasur një zgjidhje për çështjen e dokumenteve hyrëse/dalëse që kishte rritur tensionet përgjatë kufirit dhe ky ishte një zhvillim shumë i mirëpritur. Megjithatë, nuk ka pasur lëvizje të mëtejshme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dallimet mes palëve mbeten të mëdha. Një marrëveshje përfundimtare nuk është ende në horizont”, ka thënë Caplan.
Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Leon Hartwell, problemin e sheh në Beograd. Hartëell, thotë se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, akoma nuk e përgatitur terrenin në Serbi për njohje reciproke me Kosovën.
“Unë nuk e shoh që në një të ardhme të afërt Serbia do ta njoh pavarësinë e Kosovës. Nëse palët nuk janë të gatshme të zgjidhin një çështje kaq të thjeshtë siç është ajo me targat e makinave, atëherë si do të merren vesh për çështje të tjera më serioze. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk e ka përgatitur terrenin në Serbi për njohje reciproke me Kosovën”, ka thënë Hartwell.
Ndërkaq, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka kërkuar më shumë guxim nga palët e përfshirë ne dialog. Sipas saj duhet të bëhen kompromise në mënyrë që të arrihet diçka e madhe në fund.
“Kosova dhe Serbia duhet ta kuptojnë që kompromisi nuk është dobësi. Palët duhet të kenë guxim dhe vullnet që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare. Nuk ka rrugë tjetër nëse palët një ditë synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian. Po e përsëris kompromisi nuk është dobësi por është guxim”, ka thënë von Cramon.
Por optimist mbetet ndërmjetësuesi kryesor në këtë proces, Miroslav Lajçak. Ai gjatë një intervistë dhënë për tëvë1 kishte deklaruar se nuk ekziston problem që nuk mund të zgjidhet nëse është vullneti i duhur.
“Jam shumë optimist për punën që po bëj edhe për sfidat që i kam përpara. Po të mos isha optimist nuk do të isha këtu. Duhet ta dini një gjë, nëse ka vullnet atëherë ka gjithmonë një zgjidhje. Unë mund t’iu them juve që nuk probleme që nuk kanë zgjidhje. Mund të siguroheni 100% për vullnetin që e kemi ne”, ka thënë Lajçak.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ka filluar në vitin 2011, por palët akoma nuk arritur të gjejnë një marrëveshje finale me njëra tjetrën. Kosova po kërkon që nga ky proces ta siguroj njohjen nga Serbia, ndërsa kjo e fundit nuk është shprehur e gatshme për një kompromis të tillë.
Kronika e gazetarit Shpat Blakçori.