Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani bëri të ditur se i dyshuari për vrasjen e dyfishtë është vetëdorëzuar në Stacionin e Policisë pak minuta pas rastit tragjik.
Të premten në ora 14:25 policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët në këtë komunë, ku si pasojë mbetën të vdekur një 30 vjeçare së bashku me vëllain e saj.
Hashani tha se ende nuk dihen motivet e rastit.
“Policia e Kosovës rreth orës 14:25 e ka pranuar një informatë se në Livoç në Gjilan ka pasur të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga hetimet e para mësohet se aty ka ndodhur një rast i rëndë, që na ka tronditur të gjithëve. Bëhet fjalë për nja vrasje të dyfishtë dhe një plagosje. Dyshohet se plagosja është e rëndë, sepse personi i lënduar është dërguar në Qendrën Emergjente në Gjilan, pastaj për shkak lëndimeve u dërgua në QKUK. Për momentin nuk dihen motivet e rastit. Edhe forenzika, edhe hetuesit dhe prokurori i shtetit kanë dalë më vendin e ngjarjes dhe me përkushtimin më të madh po i hetojmë rrethanat”, tha Hashani.
Pas vetëdorëzimit, i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
“Nuk kam informatë saktë pas sa kohe, por për një kohë shumë të shpejtë është vetëdorëzuar në Stacionin policor në Gjilan, hetuesit rajonalë kanë filluar me procedurat intervistuese në bazë të ligjit, në prani të avokatit mbrojtës”, tha ai.
Mjeku i cili ka pranuar rastin e të plagosurit në Spitalin e Gjilanit, Suat Haliti përmes një deklarate me shkrim tha se i plagosuri ka qenë në gjendje të rëndë kritike dhe ëshë mbajtur me doza të gjakut para dërgimit në QKUK.
Ai për 30 vjeçaren e cila ka vdekur si pasojë e të shtënave me armë të zjarrit, bëri të ditur se e ka pasur tetë plumba në trupin e saj.
Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit.




