Kryendeshja e xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit, do të luhet në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali.
Kështu, ka njoftuar skuadra e Prishtinës në sajtin e saj zyrtar, të martën, duke bërë me dije se përballja me Ballkanin nuk do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kjo ndeshje luhet të shtunën me fillim në orën 15:00 dhe është një prej dueleve më interesante të kësaj xhiroje të Superligës, para pushimit shkaku i ndeshjeve të Kombëtareve.
“Ky ndryshim i lokacionit vjen për shkak të nevojës për mirëmbajtje dhe përpunim të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e ardhshme të Kombëtares së Kosovës”, ka shkruar FC Prishtina.
Kombëtarja e Kosovës javën e ardhshme nis grumbullimin për dy ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Më 10 tetor, Kosova përballet me Slloveninë në Prishtinë, përpara se të luaj kundër Zvicrës në udhëtim tri ditë më vonë.