Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka vlerësuar lart rolin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, teksa përfundon mandatin pesëvjeçar. Sipas saj, Osmani ka dhënë një zë të respektuar Kosovës dhe ka forcuar pozicionin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Kearns theksoi se Osmani ka mbështetur kauzën e vendit të saj me aftësi të jashtëzakonshme dhe përkushtim të madh ndaj qytetarëve, duke shtuar se “Zemra e saj shkëlqeu në gjithçka që bëri”.
Ajo gjithashtu paralajmëroi se në një kohë të paqëndrueshmërisë në Ballkanin Perëndimor, humbja e një udhëheqëseje të tillë është një sfidë për Kosovën, duke nënvizuar nevojën për vendosmëri dhe ndërtim urash, të cilat Osmani i ka demonstruar gjatë mandatit të saj.
“Në një moment paqëndrueshmërie akute në Ballkanin Perëndimor, ky është pikërisht momenti i gabuar për të humbur një udhëheqëse të kalibrit të saj. Kosova ka nevojë për vendosmërinë dhe ndërtimin e urave që ajo demonstroi.I uroj Presidentes Osmani çdo sukses në të ardhmen e saj”, shkroi Kearns.







