Veturat e Policisë së Kosovës janë dëmtuar nga serbët lokal para objektit të komunës së Zveçanit. Serbët po ashtu kanë djegur edhe një veturë zyrtare të Policisë së Kosovës, raporton teve1.info
Ekipi i Tëvë1 ndodhet në vend ngjarje dhe po përcjell nga afër zhvillimet që po ndodhin aty. Deri më tani përveç dëmeve materiale nuk është njoftuar për të lënduar.
Ndryshe, më herët serbët janë mbledhur para objekteve të komunave në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan.
Policia e Kosovës përdori gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar para objektit komunal në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit.
Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Udhëheqësit e këtyre komunave me shumicë serbe, që të gjithë shqiptarë u betuan një ditë më herët në ndërtesa publike, si shkollat, për shkaqe të sigurisë./teve1.info