Një delegacion ukrainas zhvilloi të mërkurën bisedime me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara, përpara raundit të tretë të negociatave të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, që do të zhvillohen në Stamboll.
Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, njoftoi në rrjetin X se delegacioni përcolli përshëndetjet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë.
“Shprehëm falënderimet tona për mbështetjen e palëkundur politike dhe të sigurisë që Turqia dhe Presidenti Erdogan kanë dhënë për Ukrainën që prej fillimit të luftës së plotë me Rusinë,” tha Yermak.
Yermak shtoi se Turqia ka treguar vullnet për të ofruar një platformë për negociatat dhe për të ndihmuar në përpjekjet diplomatike që synojnë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Gjatë takimeve, u diskutuan çështje që lidhen me sigurinë, sfidat për stabilitetin rajonal dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm në fushën e mbrojtjes. Yermak i përshkroi këto bisedime si “konstruktive”.
Delegacioni ukrainas zhvilloi gjithashtu takime me Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, dhe këshilltarin kryesor të presidentit Erdogan, Akif Cagatay Kilic.
“Jemi mirënjohës ndaj Turqisë dhe popullit turk për qëndrimin e tyre të palëkundur… e vlerësojmë mundësinë për t’u angazhuar”, tha Yermak.
Ai zbuloi gjithashtu se është diskutuar edhe mundësia për organizimin e një takimi të nivelit të lartë, që do të përfshinte presidentët Zelenskyy, Erdogan, Donald Trump dhe Vladimir Putin, si një hap drejt nisjes së negociatave serioze për paqen.
Raundi i tretë i bisedimeve të ndërmjetësuara nga Turqia mes Rusisë dhe Ukrainës pritet të fillojë të mërkurën në mbrëmje në Stamboll.
Delegacioni rus do të drejtohet nga ndihmësi i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky, ndërsa pala ukrainase do të përfaqësohet nga Rustem Umerov.
Takimi trepalësh — që do të përfshijë delegacione nga Turqia, Rusia dhe Ukraina — do të mbahet në Pallatin Ciragan rreth orës 19:00 me orën lokale, sipas burimeve diplomatike turke.
Takimi do të udhëhiqet nga Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, dhe do të përfshijë zyrtarë të lartë nga të tre vendet.
Pritet që të marrin pjesë edhe kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerali Metin Gurak.
Dy raundet e mëparshme u mbajtën më 16 maj dhe 2 qershor, po ashtu në Pallatin Ciragan./teve1/