Mesfushori Frenkie de Jong është kthyer te Përfaqësuesja e Holandës për ta luajtur ndeshjen e parë në 14 muaj.
De Jongu ishte në mesin e lojtarëve të ftuar të premten për ndeshjet e këtij muaji, kundër Hungarisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
De Jongu së fundmi ka pasur lëndime të shumta, ndërsa për herën e fundit me “tulipanët” luajti në kualifikimet për Kampionatin Evropian vitin e kaluar në Dublin kundër Irlandës.
Mesfushori i Barcelonës po ashtu ishte i ftuar për “Euro 2024” në Gjermani, megjithatë, u desh të largohej për shkak të lëndimit.
Nuk ka rikthim për Memphis Depayn, i cili shënoi dy herë në dy muajt e kaluar për klubin e ri brazilian, Corinthiansin.
30-vjeçari për herën e fundit me Holandën luajti në “Euro 2024”.
Për shkak të formës jo të mirë fizike nuk është ftuar as mbrojtësi i Manchester Cityt, Nathan Ake.
Selektori Ronald Koeman e ka ftuar mbrojtësin e krahut të djathtë të Ajaxit, Devyne Rensch, si dhe futbollistin e PSV Eindhovenit, Noa Lang.
Rensch paraqitjen e vetme me Holandën e ka në vitin 2021.
Holanda luan kundër Hungarisë në Amsterdam më 16 nëntor, ndërsa tre ditë më pas ballafaqohet me Bosnjë-Hercegovinën në udhëtim.
Holanda është e dyta në Grupin A3, me pesë pikë prapa lideres, Gjermanisë, dhe para Hungarisë së vendit të tretë, falë goldallimit.
Për të avancuar në çerekfinalet e muajit mars, Holanda duhet ta ruajë pozitën e dytë.