Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 14 tetor në Berlin të Gjermanisë. Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në jubileun e dhjetë të këtij procesi pritet të aprovojnë planin e ri katërvjeçar të veprimit për tregun e përbashkët rajonal, si dhe të ketë marrëveshje të re për qasje në studime në shkolla të mesme.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se janë të angazhuar të shtyjnë përpara veprime që rrisin ekonominë dhe integrojnë rajonin sa më afër Bashkimit Evropian. Mirëpo kërkojnë nga Gjermania si nikoqir i takimit të nxitë zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërmjet vendeve të rajonit.
Në anën tjetër, në partitë opozitare e mirëpresin samitin e tetorit, derisa thonë se do të votojnë në Kuvend marrëveshjet e reja që janë në kuadër të Procesit të Berlinit. Ndërkaq, monitorues të këtij procesi thonë se problemet politike në rajon po bëjnë që marrëveshjet që dalin nga Procesi i Berlinit të mos zbatohen mirëfilli.
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress se në samitin e tetorit është e rëndësishme të ketë rezultate konkrete drejt synimeve të Procesit të Berlinit, por shton se për t’u realizuar tregu i përbashkët rajonal duhet një qasje ku vlerat dhe standardet e BE-së janë në qendër.
“Këtë vit pritet që në samitin e liderëve të kemi aprovimin për planin katërvjeçar për tregun e përbashkët rajonal. Si shtet jemi të angazhuar të shtyjmë përpara veprime që rrisin ekonominë tonë dhe shtyjnë përpara përparësinë krahasuese që ka Kosova në rajon, duke ndihmuar që veprimet të integrojnë rajonin mirëpo edhe të na shtyjnë përpara drejt BE-së. Do të ketë disa deklarata të cilat do të aprovohen në kuadër të ministeriale. Më 17 shtator do të kemi ministerialin e Punëve të Brendshme, 24 shtator ministeriali i ministrave të Ekonomisë dhe më 1 tetor ministeriali i ministrave të Punëve të Jashtme dhe më 8 tetor do të kemi për herë të parë një takim të ministrave të Ambientit, ku do të shtyhet përpara Agjenda e Gjelbër, ndërkaq më 14 tetor është samiti i liderëve, i cili përveç që do të aprovojë planin e ri të veprimit për tregun e përbashkët rajonal, synojmë që të kemi edhe një marrëveshje të re për qasje në studime për shkollat e mesme. Pra, të njihen diplomatë që të kemi mobilitet dhe vazhdim të studimeve pa pengesa”, thotë ai.
Megjithatë, ai e konsideron të domosdoshme që para samitit të radhës të Procesit të Berlinit, Bosnja dhe Hercegovina të miratojë marrëveshjen për liri të lëvizjes me letërnjoftime me Kosovën si dhe respektimin e marrëveshjes për njohjen e diplomave universitare.
“Po shpresojmë që Gjermania si patrone e Procesit të Berlinit të shtyjë përpara zbatimin e plotë të marrëveshjeve, duke përfshirë edhe atë për njohjen e diplomave në të cilën kemi bërë progres të rëndësishëm dhe jemi shumë afër që lista e përbashkët e universiteteve të zhbllokohen dhe të njihen. Për këtë është e rëndësishme që marrëveshja të respektohet ashtu siç është nënshkruar. Secili prej shteteve anëtare të Procesit të Berlinit të dorëzojnë vetëm universitetet publike, të cilat janë në territorin e tyre, çka e kanë bërë pesë nga to, por jo edhe Serbia”, thekson Zulfaj.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se përkrahin Procesin e Berlinit dhe se do të miratojnë cilëndo marrëveshje që del nga ky proces në Kuvend.
“Ne e përkrahim Procesin e Berlinit sepse është i vetmi institucion ose mekanizëm që Kosovën e trajton të barabartë edhe me shtetet të tjera… Është një nismë e mirë që Kosova e ka përkrahur dhe do të përkrahë. Të gjitha marrëveshjet që do të arrihen janë në interes të Kosovës dhe do t’i përkrahim. Do të jemi pro këtyre marrëveshjeve pavarësisht pozicionit opozitar”, tha Kadrijaj.
Hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli, thotë se problemet politike në rajon po ndikojnë në mos zbatimin e mirëfilltë të marrëveshjeve në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Kemi një samit në gjendje jo të mirë sidomos mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete që ende s’kanë arritur t’i tejkalojnë problemet e tyre pavarësisht dialogut. Por edhe me Bosnjën shumë nga marrëveshjet që janë arritur në kuadër të procesi i Berilit nuk po arrihen të zbatohen në mënyrë të mirëfilltë për shkak të problemeve politike që shtetet e rajonit kanë mes veti dhe nuk janë tejkaluar… Lëvizja e lirë është pjesë e një shtylle më të madhe të procesit, i cili është tregu i përbashkët rajonal dhe këtu hyn tregtia e lirë që po ashtu has në probleme”, tha Haxholli.
Duke folur për kritikat e emisarit special gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ndaj Kosovës në lidhje me CEFTA-n, Zulfaj thotë se Kosova është treguar konstruktive në këtë proces duke kontribuar për një zgjidhje kompromisi.
“Procesi i Berlinit nuk ka një listë të gjërave që janë vetëm në proces, por merr nga iniciativat e ndryshme, duke përfshirë edhe ato që janë në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, por ndonjëherë kontribuon edhe në zgjidhjet e çështjeve bilaterale…Besoj se në këtë drejtim është deklarata e Sarrazin që lidhet me vendimet që udhët t’i marrin në CEFTA, ku shumica e tregut të përbashkët rajonal varet nga mënyra sesi funksionon CEFTA….Ka të bëjë me vendime që janë në CEFTA dhe janë një listë që po presin vendimmarrje. Ato që kanë kaluar negociatat janë për aprovim dhe ne kemi kontribuar që të kemi rezultate sa më të mira në proces të Berlinit”, tha Zulfaj.
Për të koordinuar agjendën e samitit në tetor, emisari gjerman Sarrazin ka qëndruar javën e kaluar dhe këtë javë në vendet e rajonit dhe Kosovë. Procesi i Berlinit është një nismë e vitit 2014 për të mbështetur integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vitin e kaluar ky samit ishte mbajtur në Tiranë.