Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes për vlerësimin e kushtetutshmërisë së përbërjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Cakolli ka theksuar se çështja është e qartë dhe e trajtuar më parë nga Gjykata, duke nënvizuar nevojën për respektimin e rregullave ekzistuese dhe përmbylljen sa më të shpejtë të përbërjes së plotë të KQZ-së, për të ruajtur ekuilibrin dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor.
Ai ka shtuar se përbërja e KQZ-së nuk është projektuar për të reflektuar dominimin e një subjekti politik, por për të siguruar një balancë që garanton integritetin e zgjedhjeve.
“Siç ka qenë e pritur dhe e ditur, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e Presidentes lidhur me përbërjen e KQZ-së, mbi të njëjtën bazë si në rastet e kaluara. Me këtë, kjo temë bëhet ndër më të trajtuarat nga Gjykata dhe nuk lë hapësirë për dilema të reja artificiale. Kjo e mbyll edhe një herë tentimin për ta kthyer këtë në dilemë kushtetuese. Rregullat që ekzistojnë dhe janë zbatuar edhe në situata identike në të kaluarën duhet të zbatohen sërish njëjtë. Ideja që KQZ duhet të pasqyrojë raportin e mandateve sikur Kuvendi është e gabuar dhe në shpërputhje me dizajnin kushtetues të vet institucionit. KQZ nuk është miniaturë e Kuvendit që riprodhon raportin e forcave politike. Për këtë arsye, përbërja e saj nuk është ndërtuar për të reflektuar dominimin e një subjekti, por për të ruajtur një ekuilibër që e mban procesin zgjedhor të besueshëm”, ka shkruar ai në Facebook.
Cakolli ka bërë thirrje që presidentja të emërojë sa më shpejt anëtarin e mbetur nga subjekti tjetër politik me të drejtë nominimi, duke kompletuar kështu përbërjen kushtetuese prej 11 anëtarësh të KQZ-së.







