Banka Qendrore e Kosovës ka bërë publike aktivitetet e realizuara gjatë periudhës transitore që ka zgjatur tre muaj lidhur me njoftimin për rregulloren e re, e cila ndalon qarkullimin e valutave tjera përpos euros në territorin e Kosovës.
Në një komunikatë për media BQK, ka bërë të ditur janë licencuar disa degë të institucioneve financiare.
“Janë licencuar tetë (8) degë/zyra të institucioneve financiare; Një (1) zyrë bankare/degë në Leposaviq, një (1) zyrë e kompanisë së sigurimit (jojetë) në Leposaviq, gjashtë zyra të institucioneve financiare jobankare dhe mikrofinanciare: një në Leposaviq, një në Zveçan, dy në Graçanicë, një në Shtërpcë një në Shillovë, Gjilan”, thuhet në komunikatë, përcjell teve1.info
BQK ka bërë të ditur se janë vendosur 38 bankomatë/ATM/pajisje të vetëshërbimit financiar; janë kryer mbi 350 vizita dhe aktivitete promovuese (duke përfshirë Remote Banking); janë dhënë afër 11 milionë euro kredi.
“Gjatë kësaj periudhe transitore tashmë të përmbyllur, BQK-ja në kuadër të edukimit financiar, ka organizuar kampanja informuese, siç është Manuali për Pyetjet dhe Përgjigjet e Shpeshta mbi Rregulloren, dërgimi i SMS-ve informuese, publikimi i sqarimeve dhe njoftimeve në ëebfaqe dhe në të gjitha rrjetet sociale të BQK-së, në gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
BQK kishte publikuar planin transitor për tu informuar për rregulloren e re e cila ndalonte edhe qarkullimin e dinarit serb në Kosovë, gjë e cila kishte ngjallë reagime nga serbët por edhe nga vendet ndërkombëtare të Kosovës.
Kosova e Serbia të mërkurën do të vazhdojnë takimet për gjetjen e modaliteteve për zbatimin e kësaj rregullore.