Brenda një periudhe të shkurtër kohore, Serbia u trondit nga dy sulme masive ku mbetën të vrarë 17 persona.
Në shenje revolte mijëra qytetarë serbë u mblodhën në Beograd për të protestuar kundër qeverisë.
Edhe aktivistja për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko, ka fajësuar qeverinë që sipas saj ka kontribuar në krijimin e një atmosfere të dhunshme në Serbi.
Në intervistë për TëVë1, ajo thotë se këto sulme po ndodhin edhe si pasojë e kolapsit të shoqërisë serbe përgjatë tri dekadave të fundit.
“Të gjithë ne jemi të tronditur me atë se çfarë ka ndodhur në Serbi gjatë kësaj periudhe. Këtu nuk qëndron problemi vetëm tek një dal i ri i traumatizuar, por është rezultat i kolapsit të shoqërisë prej tri dekadash. Këto janë pasoja të qeverisjeve toksike që kontrollojnë të gjithë shoqërinë, ju vetëm mund ta shikoni kontrollin që pushteti ka mbi mediet dhe se çfarë lajmë plasojnë ato. Megjithatë kjo qeveri mori një përgjigje të fuqishme ditë më parë ku një numër i madh i qytetarëve dolën në shesh për të protestuar për ndryshime rrënjësore në vend”, thotë ajo.
Një problem tjetër serioz në Serbi që e përmend Biserko është glorifikimi që u bëhet kriminelëve të luftës.
Ajo thotë se shumë të rinj serb i shohin ata si shembuj që duhet ndjekur prandaj edhe janë të dhunshëm.
“Vuçiq dhe vartësit e tij nuk treguan fare dhembshuri për viktimat- ata madje nuk e morën as mundin të ndiznin qirinj tek shkolla dhe t’i takojnë prindërit e viktimave. Këta persona janë elita egoiste që kujdesen vetëm për veten e tyre. Një problem tjetër serioz në Serbi është glorifikimi i krimineleve të luftës. Ka shumë të rijnë sot që kriminelet e luftës i shohin si heronj dhe si shembuj për t’u ndjekur. Prandaj këto janë edhe pasojat që po i shohim sot” , shprehet aktivistja serbe.
Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kritikoi opozitën duke thënë se po e përdorin tragjedinë për interesa të veta politike.
Kronika e realizuar nga gazetari Shpat Blakçori