Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, nga Haga tha se dita e nesërme, kur pritet të shpallet verdikti ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të jetë historike dhe mund të përcaktojë jo vetëm të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, por edhe mënyrën se si do të shihet e kaluara e saj.
Behrami deklaroi se një verdikt që do të dënonte ish-krerët e UÇK-së do të ishte i papranueshëm për qytetarët e Kosovës dhe, sipas tij, do të “shkundte themelet e shtetit të Kosovës”.
Nga Haga, ku nesër pritet vendimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Behrami tha se qytetarët e Kosovës po e presin verdiktin me ankth, por edhe me shpresë se paneli gjyqësor do të veprojë profesionalisht.
Sipas Behramit, nëse verdikti do të jetë dënues, nuk do të dënohen vetëm ish krerët e UÇK-së por edhe “nënat që kanë shërbyer ujë ushtarëve”.
“Dita e nesërme është një ditë historike, sepse ajo do të përcaktojë jo vetëm të sotmen, të kaluarën tonë, të ardhmen, do ta përcaktojë edhe mund ta ridefinojë edhe të kaluarën. Mendoj që i gjithë populli i Kosovës është duke e pritur me ankth por edhe shpresë plot, që paneli gjyqësorë duhet të jetë profesional. Duhet të bëjë revidimin e një gabimi tragjik që ka ndodhur tash e gjashtë vite gjatë procesit gjyqësorë. Është përmbysur e gjithë vlera perëndimore, kushtetuta, ligjet, të gjitha konventat ndërkombëtare, të drejtat e njeriut të paraburgosurve edhe e drejta në gjyq, ku krerët e UÇK-së janë mbajtur pothuajse gjashtë vite në paraburgim, që nuk janë standarde madje as të Rusisë e Kinës. Paneli gjyqësorë e ka një borxh shumë të madh ndaj Kosovës e cila me nenin 35 është nën akuzë. Prej shefit të shtabit të përgjithshëm deri te një nënë që ka ofruar ujë ushtarëve të UÇK-së të gjithë janë nesër nën akuzë dhe nesër do merret verdikti jo për individ, jo për krerët e UÇK-së, por për të kaluarën tonë, se si e sheh bota”, tha Behrami.
Deputeti i PDK-së tha se përpjekjet, siç i cilësoi ai, për dënimin e krerëve të UÇK-së me çdo mjet do të ishin të papranueshme për qytetarët e Kosovës.
“Kjo tendenca me çdo mjet e mënyrë me i dënua krerët e UÇK-së do të jetë e papranueshme për qytetarët e Kosovës, të cilët ditë më parë në shesh e dhanë verdiktin e tyre. Megjithatë ne kemi prapë shpresë që ky panel gjyqësorë, që shtetet financuese të Gjykatës Speciale, që i ruajnë hajde nëse jo Kosovën, trashëgiminë e tyre, mbështetje që i ka dhënë UÇK-së në luftë, koordinimi me UÇK, mbështetjen për ndërtimin e shtetit të Kosovës, ta ruajnë atë trashëgimi. Në historinë e perëndimit nuk është mbështetur kurrë një gjykatë e cila vetëm ka dënuar njerëz”, tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu bilancin e deritanishëm të Gjykatës Speciale, duke thënë se secili që ka hyrë në dyert e saj deri më tani është dënuar.
Sipas Behramit, një verdikt dënues do “shkund themelet e shtetit të Kosovës”.
“Deri më tani kushdo që ka hyrë në dyert e kësaj gjykate, është dënuar dhe kjo është e pafalshme sepse kjo nuk ndodhë as në Rusi e Kinë, as nëpër shtete tjera autokratë. Nesër është në dorën e panelit që këtë ditë ta shndërroj në një ditë të madhe të drejtësisë ndërkombëtare dhe jo në një ditë të madhe të padrejtësisë. Kosova në mirëbesim e ka ndërtuar këtë gjykatë. Me SHBA-në që kemi bë rrugëtimin bashkë dhe kemi pasur fitore diplomatike së bashku, kemi besim… Një verdikt i tillë do të ishte i pa pranueshëm për qytetarët e Kosovës, sepse do të shkund themelet e shtetit të Kosovës”, tha ai.
Të mërkurën në ora 10:00 do të shpallet verdikti ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët tash e gjashtë vite po përballen me procesin gjyqësorë në Dhomat e Specializuara të Hagës, të akuzuar për krime kundër njerëzimit.




