Grupi punues për harmonizimin e strategjisë shtetërore lidhur me procedurat e apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë ka nisur të kompletohet.
Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që në këtë grup ta dërgojë Adnan Rrustemin, ndërsa Aleanca ka caktuar Bekë Berishën.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka deleguar Jehona Lushaku-Sadriun, kurse Kryesia e Kuvendit ka caktuar nënkryetaren Vlora Çitaku si anëtare të grupit punues.
Grupi udhëhiqet nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
Megjithatë, formimi i këtij grupi është kritikuar nga avokati Florim Shefqeti, i cili vlerëson se një nismë e tillë, në këtë fazë të procesit gjyqësor, nuk do të sjellë rezultate konkrete.
Sipas Shefqetit, kur pritet publikimi i aktgjykimit dhe dorëzimi i ankesave, formimi i një grupi me përbërjen aktuale është i vonuar dhe nuk garanton ndihmë konkrete për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Formimet e grupeve për përpilim të strategjive në këtë fazë, kur pritet të përfundojë publikimi i aktgjykimit dhe dorëzimi i ankesave, janë të barabarta me zero”, ka deklaruar Shefqeti.
Ai ka vënë në pikëpyetje përvojën juridike të anëtarëve të propozuar, duke theksuar se analizimi i një dosjeje gjyqësore kaq voluminoze kërkon njohuri dhe përvojë të specializuar në fushën e drejtësisë.
Avokati konsideron se në një grup të tillë do të duhej të përfshiheshin ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, ish-avokatë dhe ish-policë me përvojë profesionale, duke përmendur si shembull profesorin Enver Hasani.
Sipas tij, një përbërje e tillë do të kishte më shumë kapacitete për të hartuar argumente që mund t’i shërbenin mbrojtjes në Gjykatën e Apelit.
Shefqeti vlerëson se, nga këndvështrimi profesional, iniciativa në formën aktuale rrezikon të shihet më shumë si “konsum politik” sesa si një mekanizëm që mund të ketë ndikim konkret në proceset gjyqësore në Hagë.








