Mesfushori Kristjan Asllani do të jetë plotësisht i gatshëm për ndeshjen kundër Çekisë, të cilën Shqipëria e luan në kuadër të Ligës së Kombeve.
Asllani është rikuperuar plotësisht nga lëndimi që e kishte pësuar në stërvitje tek Interi, pasi në grumbullimin e Kombëtares së Shqipërisë nuk ka shfaqur asnjë problem.
Ai pritet të jetë titullar kundër Çekisë, ndeshje kjo që do të luhet të shtunën prej orës 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Mirëpo, nuk mund të thuhet se edhe mesfushori ofensiv Ernest Muçi do të jetë i gatshëm për lojë kundër Çekisë.
Muçi ka pësuar një lëndim të lehtë në stërvitjen e fundit dhe është detyruar të larghet nga fusha, ndërsa mbetet të shihet nëse do të jetë në dispozicion të Sylvinhos për duelin me Çekinë.
Shqipëria të hënën ka filluar grumbullimin për dy ndeshjet e nëntorit, të cilat janë të rëndësishme për vendin e parë në grup.
Tri ditë pas ndeshjes me Çekinë, Shqipëria do të përballet edhe me Ukrainën ,duel që gjithashtu luhet në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Shqipëria i ka gjashtë pikë në vendin e tretë, sa i ka edhe Gjeorgjia në të dytin. Çekia e kryeson grupin me shtatë pikë, ndërsa Ukraina i ka katër dhe zë vendin e fundit.