Republika e Kosovës as në vitin 2023 nuk do të arrijë të bëhet pjesë e Partneritet për Paqe, që është parakusht për anëtarësim në NATO. E ky dështim sipas analistëve po bëhet për shkak se katër shtetet e tyre anëtare nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.
Ndonëse përmendin kushtet që janë plotësuar për anëtarësim në këtë organizatë, analistët kërkojnë përshpejtim edhe për shkak të rrezikut nga Rusia dhe luftës në Ukrainë e Izrael.
Për vonesa në këtë drejtim, analistët përmendin edhe dialogun Kosovë – Serbi.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë se vetë transformimi i FSK-së në Ushtri është shenjë për anëtarësim, fillimisht në Partneritet për Paqe e më pastaj edhe në NATO.
“Tani më komponenta ushtarake ka marrë për bazë të gjitha veprimet bazuar në planifikimet që kanë dalur nga ana e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së në Forcat e Armatosura dhe mbi këtë bazë partneriteti është duke u vazhduar në kontekstet me vendet përkatëse, duke u mbështetur edhe nga NALT-i dhe si proces përmbyllës për t’u anëtarësuar në Programin për Partneritet për Paqe, unë mendoj se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe mundësitë që të jetë në rrugën e drejtë për t’u integruar pas Partneritet për Paqe edhe në familjen e madhe euroatlantike të NATO-s”, ka thënë Shala,
teksa për t’u finalizuar kjo, pret disa ndryshime në kornizat polikë në kuadër të NATO-s, shkruan EO.
Por ish-ushtaraku, Nuredin Ibishi, e sheh pengesë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe mosnjohjen nga disa vende anëtare por për shkak të rrezikut nga Rusia, është i bindur se do të tejkalohet.
Kjo gjë sipas tij mund të arrihet me përfundim të dialogut Kosovë-Serbi.
“Po janë disa pengesa para se ne të hyjmë në Partneritetin për Paqe por që kjo do të arrihet me marrëveshjen që është pranuar nga ana jonë por jo edhe nga Serbia në Ohër. Problemi është te katër vendet që nuk e kanë njohur Kosovën por që realiteti është për shkak të rreziqeve dhe kërcënimeve nga Rusia, është e mundshme që edhe kjo të tejkalohet me një marrëveshje interne”, ka thënë Ibishi.
Ndonëse përmend rrezikun nga Rusia, njohësi i sigurisë ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të përfundojë sa më shpejtë, gjë që e sheh pengesë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare.