Janë arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një objekt afarist në rrugën “Sylejman Hadum Aga” në Gjakovë që ka ndodhur të hënën.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se të dyshuarit janë identfikaur mbrëmë, ndërsa sot janë arrestuar falë veprimit efikas të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë
“Falë punës intensive hetimore dhe veprimit efikas të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, AKI-së dhe Prokurorisë, mbrëmë janë identifikuar, ndërsa sot janë arrestuar dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur të kryer dje në mesditë në Gjakovë, gjatë së cilës u plagos një qytetar dhe u rrezikua siguria e të tjerëve. Të njëjtëve u janë sekuestruar edhe armët e krimit dhe sasi e konsiderueshme e parave”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se kjo dëshmon profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Kosovës, por edhe është mesazh prerë për këdo që zgjedh rrugën e kriminalitetit.
“Askush që kryen vepra kriminale nuk mund t’i shmanget drejtësisë. Çdo kryes do të identifikohet dhe do të japë përgjegjësi para organeve të drejtësisë. Nuk do të lejojmë që individë të tillë të cenojnë sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve tanë. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e jetës dhe pronës së qytetarëve mbeten të panegociueshme”, ka shkruar ai.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kësaj grabitje të armatosur ku janë marrë stoli ari një person është lënduar./teve1.info/







