Në hapësirat e depos kryesore të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës shihen zvarranik.
Kjo tregon për kushtet ekstreme në të cilat vepron kjo agjenci.
“Pasi që nuk kemi klimatizim dhe ajrosje, atëherë vetëm shkaktojmë dëmtimin e këtyre dokumenteve pasi nuk u përmbahemi kushteve që këkrohen 18 – 21 gradë Celsius. Që mos të lëvizë kjo temperature, në raste urgjente duhet me marrë patjetër masa, e në kushte optimale në vetëm se po i rrezikojmë këto dokumente në kushtet ku aktualisht veprojmë”, thotë udhëheqsja e Departamenit të Depos, Zelije Shala.
Pajisja përgjegjëse për klimatizim të depos ku ruhen arkivat shtetërore, që nga paslufta është jashtë funksioni.
Mirëmbajtëse të këtyre hapësirave, nuk ka qe afro 8 vjet.
Me vite të tëra, jashtë funksioni është edhe aparatura për fikjen e zjarrit.
Këto kushte dhe mungesa e investimeve, vlerësohet se rrezikojnë degradimin e materialeve arkivore.
“Rregullat ndërkombëtare, normat teknike dhe profesionale, por edhe rregullat juridike, thonë që kushtet për ruajtjen e materialit arkivor duhet të jenë tërësisht specifike dhe konkrete, për t’iu përmbajtur atyre standardeve, sepse materiali arkivor është i degradueshëm, është material organik, që nëse i ekspozohet kushteve joadekuate ai degradohet me kalimin e kohës”, thotë drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave, Bislim Bislimi.
Mirëpo, jo të gjitha materialet arkivore ruhen në qendra të Agjencisë së Arkivave.
Një pjesë e madhe ndodhet jashtë hapësirave të agjencisë, por edhe ato ruhen në kushte të papranueshme.
“Materiali arkivor që gjendet jashtë Agjencisë së Arkivave, por që gjendet tek fondkrijuesit tek institucionet, po ashtu është duke u ruajtur në kushte të papranueshme, nuk e ka prioritetin e duhur nga ana e institucioneve qoftë lokale, qoftë qendrore apo të tjera që administrojnë me material arkivor”, tha ai.
Që nga paslufta asnjë qeveri e Republikës nuk ka investuar në këtë agjencion që ruan memorien kolektive të Kosovës për shekuj me radhë.
Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të së cilës vepron kjo agjenci, nuk kanë dhënë përgjigje për mungesën e investimeve serioze në këtë agjension.
Aktualisht po punohet në strategjinë për arkivat shtetërore, ku nga ky institucion shpresojnë të adresohen një pjesë e madhe e problematikave aktuale.