Arabia Saudite i ka dhënë nderimin më të lartë kombëtar shefit të ushtrisë së Pakistanit, Feldmarshal Asim Munir, gjatë vizitës së tij në Riad, njoftoi ushtria pakistaneze, duke theksuar forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.
Munir mori Medaljen e Klasës së Shkëlqyer të Mbretit Abdulaziz të dielën, disa muaj pasi Princi i Kurorës Mohammed bin Salman nënshkroi një pakt mbrojtjeje me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif, duke nënvizuar marrëdhënien strategjike afatgjatë mes dy vendeve, raporton AP.
Në shtator, ministri i Mbrojtjes Khawaja Mohammad Asif deklaroi se programi bërthamor i Pakistanit “do t’i vihet në dispozicion” Arabisë Saudite nëse është e nevojshme sipas paktit.
Vizita e Munirit, e para që nga emërimi i tij si shef i forcave të mbrojtjes së Pakistanit, synon përmirësimin e koordinimit mes ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore.
Nderimi vlerëson shërbimin, lidershipin dhe përpjekjet e tij për avancimin e bashkëpunimit mbrojtës dhe koordinimit strategjik.
Gjatë takimeve në Riad, palët diskutuan sigurinë rajonale, mbrojtjen dhe sfidat gjeopolitike, duke riafirmuar “marrëdhëniet e tyre të thella, historike dhe vëllazërore”.
Arabia Saudite ka mbajtur lidhje të ngushta ekonomike, fetare dhe të sigurisë me Pakistanin për dekada të tëra.









