Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit Endrit Nika dhe e ktheu rastin në rigjykim lidhur me akuzën për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë më 2023.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2026, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Endrit Nikës, duke e dënuar me 18 vjet burgim.
“Aprovohet e bazuar ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Endrit Nika, av.Tomë Gashi, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore ne Prishtinë-Departamenti për Krimeve të Rënda, PKR.nr.31/25 dt.19.02.2026, anulohet dhe çështja kthehet ne rigjykim”, thuhet në vendimin e përpiluar më 30 korrik 2026, raporton Betimi për Drejtësi.
Ndërkaq, ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ajo e përfaqësuesit të palës së dëmtuar M.M-D., avokatit Betim Shala për shkak të vendimit mbi dënimin, tani për tani janë jolëndore
Të akuzuarit Nika iu vazhdua masa e paraburgimit, me arsyetimin se ekzistojnë kushtet ligjore deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Themelorja.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke që ndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.
Me këtë, i akuzuari Endrit Nika ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.




