Njohësi i proceseve politike në Shqipëri, Ben Andoni procesin zgjedhor atje e ka cilësuar deri diku normal dhe me probleme të vogla.
Madje ai në emisionin Ditari në Tëvë1, tha se gjatë këtij procesi zgjedhor Policia ka konfirmuar rreth 54 kundërvajtje të ndryshme, duke përmendur kështu edhe rastin e arrestimit të kandidatit për kryetar komune në Himarë i cili tashmë është shpallur fitues.
“Deri diku normal, por me probleme jo pak të vogla në qoftë se do ta konsideronim veten një demokraci të mirë për sa i përket procesit zgjedhor. Kjo sepse eksperimenti ose pilotimi që u bë me instrumentat e njohjes biomerike në disa raste jo të pakta, pati pobleme. Madje ju e dini që mbas dy orësh nga hapja e procesit të votimit, për shkak të këtyre pengesave u kalua sërish në votimin në njohjen manual. Kjo tregoi normalisht që administrata zgjedhore në Shqipëri ka probleme të mbartura, po ka problem dhe nga mosreformimi i saj. Ndërkohë që procesi pastaj duket që zbuloi problem të tjera që kishin ardhur nga më përpara që kjo shkon në akuzat për shitblerjen e votave, Policia ka konfirmuar gati në mos gaboj rreth 54 kundërvajtje të ndryshme ndërkohë që ditën e premte pati dhe një ngjarje e cila në njëfarë mënyre ka qenë gati një lloj simbolike për këto zgjedhje që ishte arrestimi i kandidatit për kryetar bashkie të Himarës, i cili sot në fakt rezulton fitues në Himarë zotin Bejleri”, tha ai.
Kurse sa i përket procesit të numërimit të votave Andoni theksoi që procesi i numërimit ka vijuar normal dhe se tashmë është duke shkuar drejt përfundimit.
Ku sipas tij, ka një fitore gati tej parashikimeve të vetë socialistëve në këto zgjedhje.
“Po shkon drejtë përfundimit, kam përshtypjen sot në mesnatë pothuajse do të mbyllet procesi i njohjes së kryebashkiakëve, ku duket ka një fitore gati tej parashikimeve të vetë socialistëve. Por besoj që e gjithë vëmendja është te kryetarët e bashkive. Risia ka qenë që socialistët kanë marrë bastionet e demokratëve, ndërsa demokratët janë rikthyer në disa nga vendet ku ata kanë qenë dhe kanë pasur gjithmonë domen“, tha Andoni.
Teksa i pyetur se a është i kënaqur me daljen e votuesve shqiptarë në këto zgjedhje ai tha “jo absolutisht dhe në këtë moment që po flasim akoma nuk kemi shifër të konfirmuar, është vetëm në mos gaboj shifra e orës 18:00 një orë para mbylljes së votimeve ku rreth 36 për qind e pak, në mos gaboj, ndërkohë që dalja ka qenë tepër zhgënjyese”.
Ndryshe zgjedhjet lokale në Shqipëri po konsiderohen fitore absolute e Partisë Socialiste dhe debakël politik për opozitën. Derisa procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit, ku deri më tani dihet se nga 61 bashki, PS-ja ka fituar 43 sosh, kurse opozita vetëm shtatë, njohësit e zhvillime politike vlerësojnë se opozita duhet të reformohet që të bëhet alternativë e besueshme për qytetarët atje.
Sipas rezultateve të deritanishme, Partia Socialiste ka fituar në Lushnje, Sarandë, Cërrik, Patos, Librazhd, Rrogozhinë, Bulqizë, Gramsh, Belsh, Roskovec, Tropojë, Dropull, Përmet, Skapar, Poliçan, Konispol, Këlcyrë, Fushë-Arrës, Libohovë, Pustec, Kamëz, Vora, Elbasan, Pusteci, Delvinë, Klos, Kolonjë, Këlcyrë, Tepelenë, Pukë, Peqin, Elbasan, Delvinë dhe Vlorë.
Ndërkohë në Shkodër deri tani janë numëruar 243 qendra të votimit nga 247 sa janë gjithsej.
Aty po prin kandidati i PS-së, Benet Bahri Beci./teve1.info./