Gjermania do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës në procesin e integrimit evropian, ka bërë të ditur Ambasada Gjermane në Prishtinë, pas një takimi të ambasadorit Rainer Rudolph me anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë të Kuvendit të Kosovës.
Gjatë takimit është diskutuar për perspektivën evropiane të Kosovës, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Përmes një njoftimi, Ambasada Gjermane ka theksuar se ambasadori Rudolph ka rikonfirmuar përkushtimin e Berlinit për të mbështetur agjendën evropiane të Kosovës.
Ai, sipas njoftimit, i ka inkurajuar anëtarët e komisionit parlamentar që të vazhdojnë punën për reformat dhe hapat e nevojshëm drejt integrimit evropian.
Ambasada ka vlerësuar gjithashtu se funksionimi i institucioneve me mandat të plotë dhe mungesa e bllokadave krijojnë mundësi për Kosovën që të ndërtojë një bazë për përparim të qëndrueshëm.
“Është koha për të krijuar kushte për përparim të qëndrueshëm”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Në fund, Ambasada Gjermane ka përsëritur se Kosova do të vazhdojë ta ketë mbështetjen e Gjermanisë në aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian.









