Ambasadori i Francës në Kosovës, Oliver Guérot, po i ndjek me shumë vëmendje zhvillimet politike në vend.
Mungesën e institucioneve të reja, diplomati francez e ka përshkruar si fatkeqësi, ndërsa ka bërë thirrje që të respektohet pavarësia e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
“Dua të them se Gjykata Kushtetuese është një institucion shumë i respektuar jashtë vendit, jashtë Kosovës. Gjykata Kushtetuese është pranuar si anëtare e plotë në Shoqatën Evropiane të Gjykatave Kushtetuese. Ajo është pranuar gjithashtu si anëtare e plotë në Shoqatën e Gjykatave Kushtetuese që flasin frëngjisht. Do të ftoja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Gjykata është një nga shtyllat e Republikës së Kosovës dhe për këtë kanë mbështetjen tonë të plotë” , ka thënë Guerot
Megjithatë, ai tha se nuk është vetëm Kosova që po ballafaqohet me probleme të tilla, si shembull ai e morri shtetin e tij Francën që akoma nuk ka një qeveri të re.
“Mendoj se është fatkeqësi që jemi në këtë situatë. Kosova nuk është i vetmi vend ku ekziston një qeveri në detyrë. Në vendin tim aktualisht kemi një kryeministër, por jo një qeveri të re të emëruar plotësisht, dhe ka shumë vende në Evropë në një situatë të ngjashme. Nuk është një situatë e mirë për asnjë vend dhe as për Kosovën. Agjencia Franceze për Zhvillim ka zhvilluar projekte të gatshme për të mbështetur Kosovën në tranzicionin energjetik, si dhe për përgatitjen e Lojërave Mesdhetare, dhe kemi bashkëpunuar për këtë me qeverinë e Albin Kurtit, me qeverinë në detyrë tani, dhe jemi gati të vazhdojmë me çfarëdo qeverie që do të dalë nga Kuvendi” , është shprehur tutje Guerot.
Diplomati francez i pati edhe disa fjalë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja mbetet platforma relevante për të trajtuar çështjet, ose BE-ja në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Kur them BE, natyrisht nënkuptoj institucionet në Bruksel, por edhe mbështetjen e shteteve anëtare, dhe Franca është jashtëzakonisht e përfshirë në këto përpjekje”, ka përfunduar Guerot.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur deri me 30 shtator masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.