Në dyvjetorin e sulmit të armatosur në Banjskë dhe vrasjes së oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Ambasada e Italisë në Kosovë ka reaguar me një mesazh të qartë për vendosjen e drejtësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e Italisë ka kërkuar që autorët e sulmit të përgjigjen për krimet e tyre.
“Kanë kaluar dy vjet që nga sulmi kriminal në Banjskë dhe vrasja tragjike e oficerit të policisë Afrim Bunjaku. Drejtësia duhet të vihet në vend, autorët duhet të përgjigjen për krimet e tyre”, thuhet në postimin.
Ndryshe, sulmi terrorist në Banjskë ka ndodhur dy vite më parë në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup i paramilitarëve serbë i prirë nga kryeterroristi Millan Radojiçiç, sulmoi Policinë e Kosovës, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.