Në Ditën e Kushtetutës, eksperti për qeverisje dhe procese politike, Artan Alijaj, ka vlerësuar nivelin e respektimit të Kushtetutës së Kosovës nga ana e politikanëve.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Alijaj ka theksuar se numri i shkeljeve të Kushtetutës nuk është alarmant, por sipas tij, shqetësues mbetet motivi i këtyre shkeljeve, i cili në shumicën e rasteve ka qenë politik.
Ai ka theksuar se në disa raste, sidomos gjatë krizave politike, Kushtetuta është shkelur qëllimshëm.
“Nëse shikohen në numër shkeljet e Kushtetutës, mendoj që nuk janë edhe aq alarmante. Mirëpo, në disa raste motivi i shkeljes ka qenë më shumë politik sesa rezultat i mungesës së përvojës. Duke pasur parasysh se Kushtetuta është miratuar në vitin 2008 dhe Gjykata Kushtetuese është themeluar në vitin 2009, ka pasur një periudhë fillestare ku institucionet kanë qenë në proces konsolidimi. Përveç rasteve të shkeljeve të pavetëdijshme në fazat e hershme, në situata të caktuara veçanërisht gjatë krizave politike ka pasur edhe shkelje të qëllimshme”, ka deklaruar Alijaj.
Duke folur për zhvillimet e fundit, Alijaj ka vlerësuar se gjatë vitit të kaluar janë evidentuar më shumë raste të tilla, veçanërisht pas përfundimit të procesit zgjedhor në shkurt.
“Që nga përfundimi i procesit zgjedhor në shkurt të vitit të kaluar mendoj se në disa raste partitë politike dhe udhëheqësit e tyre, për kalkulime dhe interesa të ngushta partiake, kanë bërë shkelje kushtetuese, duke sakrifikuar rendin kushtetues në vend”, është shprehur ai.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar, në disa procese në Kuvendin e Kosovës ka pasur shkelje të vetëdijshme të Kushtetutës, gjë që e konsideron më shqetësuese sesa shkeljet që ndodhin gjatë përpjekjeve për krijimin e institucioneve apo politikave të reja.
“Gjatë vitit të kaluar, në disa procese në Kuvendin e Kosovës, mendoj se ka pasur me vetëdije shkelje kushtetuese dhe në këto raste kjo është shumë më shqetësuese sesa kur tentohet të themelohet një institucion apo të krijohet një politikë e caktuar, e cila eventualisht mund të bie në kundërshtim me Kushtetutën, siç ka ndodhur edhe në qeverinë e kaluar dhe në ato të mëhershmet”, ka përfunduar Alijaj./teve1.info/







