Një tjetër aktgjykim ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të shpallet më 17 nëntor në Hagë.
Këtë herë, ai dhe katër të akuzuarit e tjerë do të mësojnë vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, në rastin që lidhet me pretendimet për ndikim në dëshmitarët e procesit për krime lufte.
Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin.
Sipas aktakuzës, ai u kishte dhënë të akuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Por, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se gjatë procesit nuk është dëshmuar pengimi i zyrtarëve në kryerjen e detyrave të tyre.
“Nga ajo që kemi parë në këto, në këtë proces, me theks veçantë ndaj zotit Thaçi, mirëpo edhe të tjerëve, nuk është arritur me u argumentuar se kush dhe deri në çfarë mase është penguar në kryerjen e detyrave të tij ose saj zyrtare. Për më tepër vlen të theksohet se element esencial i veprës penale të pengimit të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare, është përdorimi i forcës ose i kanosjes serioze, e që në rrethanat e rastit konkret, me theks veçantë në raport me zotin Thaçi, kur kihet parasysh që ky i fundit ka qenë në masën e paraburgimit tashmë më tepër se gjashtë vite, natyrisht që është e pamundur të ndodhin veprime”, thotë ai.
Në pritje të vendimit, optimist për një epilog pozitiv është edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
“Duhet të besoj, por nuk guxoj të them që mos të mund ndonjë dënim të vogël, nuk guxoj të them prapë. A jam optimist shumë i madh, unë isha në vizitë atje, dje kam marrë prej Holandës, kam marrë, dje isha në vizitë te presidenti dhe të tjerët, më 30 nëntor do të shkoj ta vizitoj gjeneralin Rexhep Selimi, kështu e kam terminin, po të them sinqerisht, është shumë vështirë kur dëgjon seancë pas seance apo priten verdikte mbas verdikti, që për neve është një keqardhje e madhe. Pse Evropa bën kështu ndaj shqiptarëve? Pse Evropa vendosë apo bën një gjykatë të padrejtë? Pse Evropa, domethënë, luftën tonë ta paraqesë me luftën e Serbisë apo me krimin që e ka bërë Serbia në Kosovë, gjenocidin që e ka bërë Serbia në Kosovë? Kjo është për me thënë shumë keq prej Evropës, por unë duhet të shpresoj prapë një drejtësi mirëfilltë të Evropës”, thotë Gucati.
Në kuadër të kërkesës për dënim, Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.
Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.






