Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një person, nën dyshimin për pastrim të parave.
Prokuroria pretendon se i pandehuri kishte pranuar 50 mijë euro, të cilat dyshohet se rridhnin nga aktivitet kriminal, dhe më pas i kishte deponuar në bankë duke i paraqitur si të ardhura nga shitja e një shtëpie.
Në aktakuzë thuhet se më 26 shtator 2019, në Pejë, A.Z., duke qenë në dijeni për origjinën e dyshuar të kundërligjshme të mjeteve financiare, ka bërë transferimin e tyre me qëllim të fshehjes apo maskimit të burimit. Ai fillimisht ka deponuar 50 mijë euro në bankë si kinse të ardhura nga shitja e pronës, ndërsa më pas ka marrë edhe një kredi bankare prej 20 mijë eurosh.
Sipas Prokurorisë, shuma totale prej 70 mijë eurosh është transferuar në dy llogari bankare të personave me inicialet A.Ll, me të cilët është lidhur edhe kontratë, ndonëse në realitet i pandehuri nuk kishte përfituar asnjë të hyrë nga shitja e shtëpisë.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që A.Z. të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin për veprën penale që i vihet në barrë.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri A.Z., me datë 26 shtator 2019 në Pejë, duke qenë në dijeni se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, transferon pasurinë me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës apo burimit, deponon në bankë shumën prej 50.000 (pesëdhjetëmijë) euro kinse nga shitja e shtëpisë dhe merr kredi bankare në shumën prej 20.000 (njëzetmijë) euro, ku të gjitha të hollat, i transferon në dy llogari bankare të shitësve A.Ll dhe A.Ll në shumë totale prej 70.000 (shtatëdhjetë) mijë euro, me të cilët lidh edhe kontratë, e që në fakt nga shitja e shtëpisë nuk pranon asnjë të hyrë”, thuhet në njoftim. /teve1.info/




