Asociacioni i Komunave të Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për ta kundërshtuar Rregulloren Nr. 07/2025 që rregullon procesin e rekrutimit në shërbimin civil.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, në prononcim për media, tha se rregullorja prek autonominë e komunave dhe tejkalon kompetencat e pushtetit qendror ndaj nivelit lokal.
Ai shtoi se pret që Gjykata Kushtetuese ta konfirmojë, sipas tij, shkeljen e Kushtetutës dhe të standardeve ndërkombëtare nga ana e Qeverisë.
“Kjo është tentativa e radhës e nivelit qendror për të ndërhyrë në punët e komunave, për t’u cenuar autonominë komunave, autonomi kjo e garantuar me kushtetutë dhe me akte ndërkombëtare si dhe me ligjin për vetëqeverisje lokale. Komunat nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Rregullorja e dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese për ne është kundërkushtetuese, sepse parasheh një sistem të centralizuar të rekrutimit për shërbimin civil, ku procedura e rekrutimit do të zhvillohet nga departamenti për menaxhimin e zyrtarëve publikë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha ai.
Latifi tha se pret që Gjykata Kushtetuese ta vërtetojë shkeljen e Kushtetutës dhe të standardeve ndërkombëtare nga ana e Qeverisë, duke theksuar se rregullorja bie ndesh me decentralizimin dhe me ligjin për vetëqeverisje lokale.
“Kjo qasje, kjo mendësi e qeverisë është kundërkushtetuese, është kundërligjore dhe presim që këtë ta konfirmojë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Ne ju besojmë institucioneve tona të drejtësisë, ne i besojmë Gjykatës tonë Kushtetuese dhe presim t’i konfirmojë këto pretendime. Presim të konfirmohet se qeveria e Kosovës edhe kësaj radhe fatkeqësisht ka shkelur kushtetutën, ka shkelur aktet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë, siç është Karta evropiane për vetëqeverisje lokale dhe standardet e Komisionit të Venecias, sepse bie në kundërshtim me frymën e decentralizimit të pushtetit lokal, sepse ndërton marrëdhënie të paqëndrueshme midis pushtetit lokal dhe pushtetit qendror, sepse është ndërhyrje në kompetencat e pushtetit lokal, pra në kundërshtim edhe me ligjin për vetëqeverisje lokale, sepse është edhe në kundërshtim me frymën kushtetuese”, tha ai.




