Kryeshefi ekzekutiv i “Trepçës”, Faton Ahmeti, ka dhënë detaje për avarinë e ndodhur një ditë më parë në trafon e Tunelit të Parë, si pasojë e së cilës 63 minatorë mbetën të ngujuar në minierë.
Ahmeti ka thënë se pas avarisë është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për dy njësi, ndërsa ekipet kanë nisur menjëherë punën për sanimin e problemit dhe krijimin e një qasjeje për daljen e minatorëve.
“Sot jemi para trafos së Tunelit të Parë. Dje, më datën 7, ka ndodhur një avari, si pasojë e së cilës është ndërprerë energjia elektrike për dy njësi dhe kanë mbetur të ngujuar 63 minatorë. Pas kësaj kemi filluar rregullimin e trafos për të bërë një qasje në minierë. Fatmirësisht, nuk kemi pasur pasoja dhe minatorët kanë dalë shëndoshë e mirë. Para se të arrinte rryma, kanë dalë 54 minatorë, ndërsa rreth orës 02:30 kemi bërë kyçjen dhe kanë dalë edhe të tjerët”, ka deklaruar Ahmeti.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht flotacioni nuk mund të funksionojë deri në përfundimin e sanimit të avarisë, ndërsa puna në minierë ka vazhduar.
“Aktualisht, flotacioni nuk mund të funksionojë deri sa të bëhet rregullimi i kësaj avarie në tërësi. Por, fatmirësisht, miniera mund të funksionojë dhe kemi filluar me ndërrimin e parë, ndërsa flotacioni nuk mund të funksionojë”, ka thënë ai.
Ahmeti ka treguar se ky është incidenti i dytë i ngjashëm që ka ndodhur në “Trepçë” gjatë këtij viti.
“Është avaria e dytë që po na ndodh e ngjashme. Edhe më 14 maj të këtij viti kemi pasur djegie të ngjashme. Shkaqet nuk i dimë, ende nuk kemi një raport zyrtar se specifikisht pse ka ndodhur. Policia, zjarrfikësit, forenzika dhe inspektori i KPM-së kanë marrë pjesë dhe presim të na lajmërojnë se cilat janë shkaqet”, u shpreh Ahmeti.
Kryeshefi i “Trepçës” është pyetur edhe se pse minatorët nuk janë lejuar të prononcohen për media pas daljes nga miniera.
“Realisht, i vetmi zyrtar për media është kryeshefi. Nuk është se gjithkush mund të komunikojë me mediat”, ka deklaruar Ahmeti.







