Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ditë më parë ka shprehur pakënaqësinë e saj në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli të pavlefshëm Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Abdixhiku thotë se një ministre që sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e MD-së, përcjell teve1.info
“Nga logjika e ‘vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik. Një Ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i Gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik. Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët?”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas tij, dorëheqja e Haxhiut është domosdoshmëri.
“Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë!”, është shprehur kreu i LDK-së. /Teve1.info/
https://teve1.info/lajmet/haxhiu-konteston-vendimin-e-gjykates-kushtetuese/