Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli po insiston se ka bërë një telefonatë me ish kryetarin e Listës Serbe, Milan Radojciqin në prezencë të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Në këtë deklaratë të dhënë për televizionin Tëvë1, ai thotë se u peshkua deputeti Adem Hodza për t’ia mundësuar Vjosa Osmanit postin e presidentes. Këto deklarime po i mohon Qeveria e Kosovës, derisa “pa zë” për këtë çështje janë nga Zyra e Presidentes dhe deputeti Hodza.
Vota e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Adem Hodža, po pretendohet se e beri presidente të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin.
Emri i tij u bë publik nga deputeti Behgjet Pacolli i cili po instistion në vërtetësinë e deklaratës së tij për një telefonatë me ish nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiqin në prezencë të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Përmes një postimi, Pacolli ka reaguar pasi zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu të mërkurën për televizionin tha se deklarata e Pacollit ka qenë e pavërtetë.
“Ju lutem, para se të jepni deklarata të pavërteta, pyesni, së pari Kryeministrin dhe Presidenten. Ata do t’ju tregojnë se telefonata është bërë me kërkesën e tyre, për të siguruar prezencën e një deputeti shtesë. Unë nuk kam pasur nevojë për vota, dhe do të ishte absurde që ta bëja këtë telefonatë pa kërkesën e tyre, për te cilët ata kishin nevojë! Ata do t’ju tregojnë gjithashtu për rrethanat e telefonatës, që u bë në praninë e tyre, nga zyra private e Kryetares së atëhershme të Kuvendit, në orët e para të ditës kur ndodhi votimi për Presidenten. Si rezultat i kësaj telefonate, u sigurua prezenca e deputetit Adem Hodža, ne momentin e votimit te presidentes”, ka shkruar Pacolli të enjten.
Edhe për këtë deklaratë, Përparim Kryeziu zëdhënës i Qeverisë pati sërish një kundër përgjigje.
Ai tha se në asnjë bisedë telefonike të Pacollit nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Kurti.
“Edhe një herë, në asnjë bisedë telefonike që ka bërë deputeti Behgjet Pacolli me kriminelin Millan Radoiçiq, e të cilën ai vetë po e pranon, nuk ka qenë i pranishëm KM Kurti. Është krejt e pakuptimtë që një deputet i Kuvendit që dikur ka qenë edhe ministër i Punëve të Jashtme të insistoj në një të pavërtetë të tillë. Z. Pacolli nuk ka nevojë t’i arsyetojë komunikimet që ka mundur t’i ketë me Radoiçiqin. Sepse tek e fundit ai ka qenë ministër i Qeverisë e cila është formuar me votat e Listës Serbe e për të cilat kanë pritur orë të gjata në Kuvend derisa ata ktheheshin nga Beogradi. Ai ka qenë në koalicion me Listën Serbe të Radoiçiqit. Besoj që komunikimin e kanë pasur të rregullt me ta”, ishte reagimi i Kryeziut.
Mirëpo, deputeti Pacolli në një reagim të ri, po thotë se për këtë telefonatë ka edhe dëshmitarë të tjerë.
“Prapë po ju them, mos insistoni ma tutje, dikush në emër të qeverisë po e shtrembëron të vërtetën, (nuk desha të them që po gënjen). Për këtë çka kam thënë ka dëshmi dhe njerëz të tjerë. Mos harroni se po tregoheni shumë të ligë dhe jo mirënjohës”, reagoi Pacolli.
E për dy ditë me radhë, Zyra e Presidencës së Kosovës janë pa përgjigje për këtë pretendim.
Edhe të enjten ata nuk iu përgjigjen televizionit në pyetjen se a ka kërkuar presidentja Osmani një telefonatë të tillë dhe a ka qenë në dijeni për zhvillimin e kësaj bisede.
Pa përgjigje të enjten ka qenë edhe deputeti Adem Hodža i cili u kontaktua nga televizionit.
Ndërkohë, të mërkurën për Tëvë1, deputeti Behxhet Pacolli tha që ka pasur bisede telefonike në prezencë të Osmanit dhe Kurtit, me Milan Radojçiq për të peshkuar deputet një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente.
Pacolli: Fola me Radoiçiqin në praninë e Kurtit dhe Osmanit një ditë para zgjedhjes së Presidentes