E mërkura është dita vendimtare për Qeverinë Konjufca 1.
Por edhe një ditë para këtij zhvillimi të rëndësishëm, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk po tregojnë se a i kanë siguruar 61 vota për mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën.
Megjithatë një gjë e kanë bërë të qartë, që nuk ka bashkëpunim as koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.
“Sa i përket koalicioneve dhe bashkëpunimeve, tashmë LVV e ka bërë të qartë pozicionin e saj. Nuk ka koalicion me PDK-në. Në anën tjetër, pas mosvotimit të Qeverisë me mandatar Albin Kurtin, LVV, me qëllim që të shmangë sfidat që na presin përpara si buxheti i vendit, buxheti për RTK, buxheti për disa komuna, pakoja e zgjerimit të BE-së dhe evitimi i dy palë zgjedhjeve, propozoi edhe mandatarin e dytë, Glauk Konjufcën. Po seancë do të ketë. Kësisoj, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë mundësinë reale që t’i shmangin këto çështje që e presin vendin tonë përpara. Nëse nuk do të ketë racionalitet karshi këtyre sfidave, atëherë zgjedhjet mbeten opsioni i vetëm”, ka thënë Manxhuka.
Sot sytë u kthyen edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
Kjo për shkak që i pari i Qeverisë në detyrë, Albin Kurti e uroi për postin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzën.
Në konventën e partisë ku u zgjodh kryetar, Hamza deklaroi se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti.
Por deputeti i PDK-së, Jakup Nura thotë se nuk është në dijeni për ndonjë takim ose ndryshim të qëndrimit në PDK.
“Besoj që PDK me zgjedhjen e tanishme e cila është bërë, mendoj që në zgjedhjet e ardhshme do të jemi më të fortë dhe uroj që Bedri Hamza si kryeministër i ardhshëm, mos ta humb në këtë rast qytetari i Kosovës që të ia jep një mundësi dhe një shans Bedri Hamzës për të ardhmen. Nuk jam në dijeni për diçka të tillë takime me VV-në. Pasi është dita e fundit për nesër, mendoj që nuk do të ketë ndonjë të re e cila do t’i ndryshoj rrethanat ku jemi futur tash e 10 muaj. Asnjëherë PDK s’ka pasur vija të kuqe me LVV-në”, është shprehur Nura.
E gjatë një konference për media, për formimin e Qeverisë së re foli edhe shefja e shtetit, Vjosa Osmani.
Osmani tha se në rast se edhe nesër dështon votimi i qeverisë së re, do t’i ftoj partitë për takim për zgjatje buxhetore.
“Vetëm në rast se nuk ka sukses, është e domosdoshme që ne të flasim për miratimin e zgjatjeve buxhetore sepse duhet të sigurohemi që qytetarët tanë jo vetëm dhjetëra mijëra shërbyes civil por edhe shumë e shumë shërbime tjera që paguhen nga buxheti i shtetit të mos të bllokohen. Një gjë e tillë nuk i ka ndodhë Kosovës asnjëherë do të ishte një situatë kritike, po flasim për nevojat më bazike të qytetarëve tanë të cilat do të mund të bllokoheshin në rast se nuk kemi zgjatje buxhetore deri në fund të marsit kështu që natyrisht është temë të cilën do të diskutoj me partitë në rast se ndodhë ajo që e përmendet ju por sic e thashë nuk mund të paragjykojmë dhe ta shohim pas votimit nesër”, është shprehur Osmani.
Televizioni ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga deputetët e pakicave, Duda Balje dhe Veton Berisha se a kanë ndryshuar qëndrim për votim, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Pa përgjigje në këtë pyejte ka qenë edhe deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku.






