Haradinaj para medieve tha se marrëveshja duhet ta ketë vulën e Amerikës.
“Sapo e përfunduam një takim me kryeministrin Kurti. Tema ishte marrëveshja finale me Serbinë, pra marrëveshja për njohje reciproke, e diskutuam procesin, e diskutuam marrëveshjen vet. I diskutuam sfidat që i ka Kosova në këtë proces, ishte një takim me përmbajtje për shkak se kemi diskutuar përmbajtjen e një marrëveshje potenciale Kosovë-Serbi”, tha Haradinaj.
I pyetur nëse bëhet fjalë për një propozim franko-gjerman, Haradinaj tha se u diskutuan krejt nenet veç e veç.
“Ne diskutuam për krejt nenet e marrëveshjes, preambulën, kemi provu me dhënë kontributin tonë si Aleancë në mënyrë që Kosova edhe në këtë proces të arrij sukses. Besoj që duhet të vazhdojmë më tutje bashkë me aleatët tonë, me Amerikën dhe aleatët evropian. Ajo që besoj që është e rëndësishme që në këtë proces dhe ky proces duhet ta ketë vulën e Amerikës. Jo vetëm përkrahjen e Amerikës për të qenë ky proces në garanca të plota duhet të nënshkruhet edhe nga niveli i njëjtë amerikan. Nuk mund të konsiderohet si i sigurt edhe pa nënshkrimin ose vulën e Amerikës. Do të duhej të ndodh në Uashington dhe besoj shumë, dhe kjo ishte dhe kërkesë e imja se si garancë për këtë proces të kemi vulën e Amerikës”, tha Haradinaj.
Ndërsa, i pyetur sa janë gjasat që AAK të përfshihet në qeverisje nëse arrihet marrëveshja Kosovë-Serbia, Haradinaj tha se janë zero.
Kurse, nëse do të votohet një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë pa njohjen reciproke në qendër, Haradinaj tha se ky proces po merret shumë seriozisht.
“Është një proces për të cilin jemi fliju edhe duhet ta marrim shumë seriozisht. Vendimet e dialogut nuk janë vendime që i ndryshon dikush pastaj. Duhet të jemi serioz në këtë proces. Do të punojmë që Kosova të del e suksesshme, nuk bëhet fjalë për agjenda tjera zgjedhore as qeverisëse. Duke e pas parasysh edhe seriozitetin e Uashingtonit, Londrës, Berlinit, Parisit do të punojmë që Kosova të del e suksesshme, nuk bëhet fjalë për agjenda tjera politike as partiake. Në këtë drejtim Aleanca nuk do të kursej asgjë ta ndihmoj Kosovën. Jo Albin Kurtin, jo partinë, se ka pas qeveri edhe para Kurtit”, u shpreh Haradinaj./Teve1.info/