Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve me anë të një reagimi për media është shprehur i shokuar për rastin e vrasjes së fëmijës 14-vjeç sot në Prishtinë.
Në reagimin e KOMF-it thuhet se rasti tronditës i vrasjes së fëmijës 14 vjeç, duhet të jetë një alarm për të gjithë, duhet t’i thërrasë ndërgjegjes institucionale dhe ndërgjegjies sonë kolektive në mënyrë që masat parandaluese dhe mbrojtëse për sigurinë e fëmijëve të ndërmerren në mënyrë emergjente.
“Duhet investim i menjëhershëm në themelimin dhe fuqizimin e shërbimeve të integruara edukative, psikologjike dhe sociale në shkolla, krahas mësimdhënies, me qëllim të edukimit qytetar të fëmijëve dhe parandalimit të dhunës dhe sulmeve ndaj fëmijëve, të cilat fatkeqësisht si sot mund të përfundojnë me fatalitet” shkruan KOMF.
Lidhur me rastin, KOMF ka thënë se themelimi dhe fuqizimi i shërbimeve të integruara të mësipërme do të mundësonte një mekanizëm efikas në identifikim dhe raportim të rasteve të tilla.
“Fëmijëve duhet t’u sigurohet më shumë mbrojtje në rrugë, në shkollë dhe në të gjitha vendet ku ata veprojnë. Jemi të shqetësuar për faktin që rastet tragjike paraprake të fëmijëve të cilat kanë përfunduar me fatalitet, nuk kanë ndikuar aspak në reflektim, mobilizim, e as ngritje të nivelit të përgjegjësisë së të gjithë sistemit të mbrojtjes së fëmijës” thuhet në reagimin e OJQ-ve.
Të shokuar me këtë rast, KOMF kërkon që qasja institucionale të jetë efektive në mënyrë që të parandalohen rastet e tilla.