E njohësi i çështjeve politike, Tomor Avdija ka thënë se në pikën e vlimit të dialogut Kosovë – Serbi ka disa dokumente që qarkullojnë nëpër vende të ndryshme që tentojnë të hyjnë në tregun e “bisedimeve”.
Avdija, Bashkimin Evropian e ka quajtur si lehtësues të dialogut ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës si përforcuese.
“Gjatë muajve të fundit në pikun e vlimit të dialogut mes Kosovës e Serbisë ka disa dokumente të cilat qarkullojnë si në Bruksel, Berlin, Paris, Romë, po themë edhe në Londër, Prishtinë, dhe Beograd të cilat zakonisht tentojnë të hyjnë në tregun e “bisedimeve”, për arsye se bisedimet janë të kornizuara në mes të tre faktorëve janë edhe te BE-ja i cili po them e lehtëson, ata quhen lehtësues të dialogut ndërsa SHBA-të dhe përfaqësuesit e tjerë janë përforcues të dialogut”, tha ai.
Avdija në “Info Nata” në Tëvë1 ka thënë se në qoftë se Kosova mund të anëtarësohet në një afat dy deri në tre vjet në NATO, sipas tij do të ndryshojnë rrethanat gjeo-politke, teksa shtoi se një vend i NATO-s nuk mund të kërcënohet nga Serbia.
“Në qoftë se Kosova shumë shpejtë mund të anëtarësohet në një afat dy deri në tre vjet në NATO pastaj ndryshojnë rrethanat gjeo-politike, ka indikacione por një vend i NATO-s nuk mund të kërcënohet nga Serbia” u shpreh Avdija.
Madje ai tha se ka ndryshuar edhe deklarimi e qëndrimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Sepse ai nuk po thotë që më nuk e njohim pavarësinë e Kosovës, por në deklaratat që ka pasë në fundjavë ka deklaruar se ne nuk jemi të gatshëm ta njohim tani në këtë fazë, dmth kjo është një ndryshim në deklarim dhe në qëndrim”, tha Avdija.
Avdija foli edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku u shpreh optimist se me 13 tetor qytetarët e Kosovës do të lëvizin të lirë, teksa shtoi se këtë lajm qytetarët e Kosovës do ta marrin të enjten.
“Unë jam shumë optimist se me 13 tetor qytetarët e Kosovës do të iu hapet rruga e gjelbert për të lëvizur pa viza në këtë hapsiren shengen, ky është një lajmë që qytetarët e Kosovës do ta marrin ditën e enjte”, shtoi ai./teve1.info/