Angazhimi i gjermanit, Jens Plötner dhe francezit Emmanuel Bonne në dialogun Kosovë – Serbi, rriti pritshmëritë se procesi mund të marr një dinamikë të re.
Po atë ditë, tre emisarët udhëtuan edhe në Beograd, ku pas takimit atje, presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se delegacioni i ka sjellë atij një kornizë të re për dialogun.
Lajmi shumë shpejt mori vëmendjen e medieve vendore e rajonale. Tëvë1 javën e kaluar ka raportuar se emisarët Lajcak, Plötner e Bonne nuk kanë sjell ndonjë dokument si “kornizë të re” për dialogun.
Në anën tjetër, portali “Albanian Post”, publikoi një dokument për të cilin pretendonte se është “korniza e re” e dialogut.
E për këtë raportim, nga zyra për media e kancelarit gjerman Olaf Shcolz, i kanë thënë Tëvë1, se nuk kanë dërguar asnjë lloj dokumenti dhe se nuk kanë informacione se kush e ka hartuar atë kornizë dhe për çfarë qëllimi.
“Ne kemi marrë parasysh raportimet në mediat shqiptare për një të ashtuquajtur rrjedhje të një dokumenti 4 faqesh që supozohet se i është dorëzuar nga Franca, Gjermania dhe përfaqësuesi Special i BE-së Lajçak, kryeministrit Kurti dhe presidenti Vuçiq. Pretendimet janë të gabuara, një letër siç përshkruhet në raporte nuk vjen nga Franca, Gjermania apo Përfaqësuesi Special i BE-së. Nuk kemi asnjë informacion se kush e ka shpikur dhe me çfarë qëllimi”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë gjermane.
Në emisionin “ResPublika, për “kornizën e re” të dialogut ka folur edhe deputeti i Vetëvendosjes Armend Muja, i cili tha se ky dokument është një lloj “non paper”.
Javën e kaluar as vet emisari Lajcak gjatë vizitës në Kosovë, nuk tha se i kanë prezantuar Vuciqit ndonjë dokument, si kornizë të re të dialogut.
Kronika e gazetarit Valmir Gallopeni.