Në një adresim për media, Osmani tha se Nënë Tereza dha një shembull në gjithë botën jo vetëm për kombin shqiptar dhe se për këtë e përkujtojnë me shumë krenari veprën e saj.
“Sot së bashku me udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, me anëtarë të kabinetit qeveritar, përfaqësues të kishës katolike jemi këtu për të filluar këtë ditë me kujtimin për Shën Terezën që dha një shembull për gjithë botën jo vetëm për popullin shqiptar që ia dha atë botës. Prandaj sot përkujtojmë me shumë krenari gjithë veprën e saj, gjithë misionin e saj dhe shembullin që la pas për gjeneratat që vijnë duke treguar se janë dashuria respekti dhe ndihma ndaj të tjerëve që duhet gjithnjë të jenë dritë udhërrëfyese në jetën tonë të përditshme”, tha Osmani.
Fjalë krenarie për veprën e Shën Terezës pati edhe Kurti, i cili u shpreh se me veprat e saj ajo u bë nëna e gjithë botës.
Sipas tij, teksa kujtohet figura dhe vepra e saj njëkohësisht edhe duhet ndjekur shembulli nga gjithsecili.
“Dje shënuam 6-vjetorin e shenjtërimit të Nënës Terezë, ndërkaq sot 25-vjetorin e shkuarjes së saj në amshim. Jeta e Nënë Terezës është vepra për gjithë njerëzimin dhe shembull për njeriun nga një bijë e popullit tonë. Ajo u bë nëna e gjithë botës dhe sot ne teksa e kujtojmë atë dhe nderojmë figurën e saj njëkohësisht edhe e afirmojmë shembullin që duhet ndjekë gjithësecili duke punuar me dashuri dhe sakrificë për të mirën e të gjithëve. Nëna Terezë dha gjithçka nga vetja dhe nuk i mori asgjë botës, në këtë mënyrë ajo afirmoi edhe kombin tonë sepse sakrifica është vlerë tradicionale e popullit shqiptar”, tha Kurti.
Kurse, Konjufca u shpreh se me humanizmin e saj, Nënë Tereza ka inspiruar miliona njerëz anekënd botës, por që thotë se asnjëherë nuk e harroi kombin shqiptar.
“Po e nderojmë dhe kujtojmë simbolin e rëndësishëm të kombit shqiptar dhe mbarë botën Nënën Terëzë e cila është shembulli më i sigurtë i besimit të vërtetë dhe humanizmit, shembulli i saj ka inspiruar milionë njerëz anekënd botës por mos të harrojmë që ajo kurrë nuk e harroi kombin shqiptar ka qenë gjithmonë afër popullit tonë në ditët tona më të vështira edhe te udhëheqësitë botërorë kur ka qenë nevoja gjithmonë e ka ngritur çështjen tonë. Pra për këtë arsye do të nderohet dhe kujtohet prej popullit tonë”, tha ai./teve1.info/