Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka arrestuar tre persona të dyshuar për përgatitje të veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Rasti është raportuar më 27 nëntor në Prishtinë, ndërsa gjatë hetimeve janë identifikuar pesë persona të dyshuar.
Sipas raportit të Policisë, më 28 nëntor është identifikuar dhe intervistuar viktima e rastit. Po ashtu, është sekuestruar një veturë e dyshuar, në të cilën është gjetur një pistoletë me shurdhues dhe pesë fishekë.
Në kuadër të hetimeve janë kontrolluar edhe shtëpitë e pesë të dyshuarve, ku janë arrestuar dy persona. Gjatë kontrolleve është gjetur dhe konfiskuar edhe një pistoletë tjetër me shtatë fishekë.
Ndërkohë, i dyshuari i tretë është ndaluar më 29 nëntor, rreth orës 04:30, në pikën kufitare në Han të Elezit, në hyrje të Kosovës.
“Pas identifikimit dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje, me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, shkruhet në raportin e Policisë.
Tutje, Policia ka njoftuar se hetimet dhe veprimet operative po vazhdojnë në koordinim të ngushtë ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zbuluar detaje nga operacioni.
“Në kuadër të këtij operacioni, janë realizuar kontrolle dhe bastisje në disa lokacione në Prishtinë, Obiliq dhe Gjakovë, me qëllim të lokalizimit të personave të dyshuar, sigurimit të provave materiale dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të rastit. Gjatë kontrolleve, janë sekuestruar armë dhe municion, përkatësisht një (1) pistoletë me shurdhues dhe pesë (5) fishekë të gjetur në automjetin e dyshuar, si dhe një (1) armë të shkurtër të llojit TT me shtatë (7) fishekë, e gjetur në shtëpinë e njërit prej personave të dyshuar”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, parandalimin e veprave të rënda penale, si dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.







