Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në pritjen shtetërore të organizuar nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Me këtë rast, Haxhiu ka theksuar lidhjen historike ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë në historinë e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo ka thënë se të dyja shtetet, përveç historisë së përbashkët, ndajnë edhe aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Haxhiu ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të angazhimeve ndërkombëtare ndërmjet dy vendeve për të ecur më shpejt drejt këtij synimi.
“Festa e Flamurit na bashkon kudo që jemi. Është dita kur kujtojmë historinë e përbashkët, sakrificën e brezave dhe rrugën e gjatë të shqiptarëve drejt lirisë e pavarësisë. Nga kryengritjet që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë e deri te lufta e Adem Jasharit dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, flamuri kuqezi u ka prirë përpjekjeve tona për liri. E ruajtëm në shtëpitë tona edhe kur na ndalohej ta shpalosnim, e ngritëm në demonstrata kur na mohohej liria dhe nën të luftuan çlirimtarët tanë. Shqipërinë e kishim në mendje e në zemër edhe atëherë kur nuk na lejohej ta kalonim kufirin”, tha ajo.
Sipas saj, Shqipëria zë një vend të veçantë në historinë e lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, ashtu siç zë Kosova në historinë e pavarësisë së Shqipërisë.
“Sot, përveç historisë së përbashkët, Kosova dhe Shqipëria ndajnë edhe aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Besoj se duke e thelluar bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve tona dhe duke i bashkërenduar angazhimet tona ndërkombëtare, do të ecim më shpejt drejt realizimit të kësaj aspirate. Uroj që brezat e ardhshëm të shqiptarëve ta trashëgojnë dashurinë për njëri-tjetrin, ashtu siç e trashëguam ne nga brezat para nesh. E ne që sot kemi përgjegjësi shtetërore, do të vazhdojmë të punojmë që Kosova e Shqipëria të zhvillohen e të fuqizohen përkrah njëra-tjetrës. Gëzuar 28 Nëntorin! Gëzuar Ditën e Flamurit!”, shkroi Haxhiu.









