Drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL), Atdhe Hetemi, ka realizuar një vizitë zyrtare në Tiranë, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sigurimit të dokumenteve të reja për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit për media, gjatë vizitës në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), Hetemi u takua me përfaqësues të këtij institucioni, me të cilët diskutoi mundësinë e formalizimit të bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje ndërinstitucionale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua kërkesës së IKKL-së për sigurimin e materialeve arkivore që ruhen në këtë institucion dhe që dokumentojnë represionin sistematik, përndjekjet, dhunën dhe krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.
“Këto materiale kanë rëndësi të veçantë për hulumtimin e rrethanave historike, politike dhe shoqërore që çuan deri te lufta e fundit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Hetemi zhvilloi takim edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Arkivave të Shqipërisë, Auron Rrokaj, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ekzistues dhe sigurimin e dokumentacionit të ri arkivor që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe periudhën para saj.
Po ashtu, drejtori i IKKL-së u takua me zëvendësministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Kevin Bufi, i cili vlerësoi punën e deritanishme të Institutit dhe shprehu gatishmërinë për ta mbështetur atë, veçanërisht në promovimin ndërkombëtar të fakteve dhe dëshmive për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Përmes këtyre takimeve, IKKL synon të zgjerojë fondin arkivor, të thellojë bashkëpunimin me institucionet e rajonit dhe të krijojë mundësi të reja për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe të rrethanave që i paraprinë asaj.









