Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar varrezat e familjes Jashari në Prekaz, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 28 Nëntorit.
Përmes një postimi, Kurti ka thënë se kjo datë nuk shënon vetëm Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, por edhe ditëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Në Prekaz, nga Vlora. 28 Nëntori nuk është vetëm Dita e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e Flamurit Kombëtar, por edhe ditëlindja e kryekomandantit Adem Jashari dhe e shpalljes publike të UÇK-së në Llaushë nga Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj.
Kruja e Skënderbeut në mes të shekullit XV, Vlora e Ismail Qemalit dhe Drenica e Adem Jasharit, në fillim e në fund të shekullit XX, janë trashëgimia e lavdishme historike e 28 Nëntorit që na e ndriçon të ardhmen e këtij shekulli të ri”, ka shkruar Kurti.










