Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas raportimeve se është penguar vendosja e muralit kushtuar Nënë Terezës në objektin e Ministrisë së Ekonomisë në kryeqytet.
Përmes një reagimi në Facebook, Rama ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të sqarojë publikisht arsyet e ndërhyrjes, si dhe të identifikojë personin që, sipas ekipit realizues, ka dhënë urdhër për ndalimin e vendosjes së muralit.
Ai ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës, si institucioni përgjegjës për dhënien e lejeve në hapësirat publike të kryeqytetit, e kishte miratuar vendosjen e muralit.
Sipas Ramës, ekipi që po punonte për vendosjen e tij ka deklaruar se polici në vendngjarje kishte thënë se urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.
Kreu i kryeqytetit ka kërkuar që Policia të bëjë të ditur se kush e ka dhënë këtë urdhër, mbi çfarë baze ligjore është marrë vendimi dhe nëse ka pasur ndërhyrje apo presion politik në këtë rast.
“Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar Rama.
Ai e ka cilësuar ngjarjen si skandaloze, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga Policia e Kosovës për rrethanat në të cilat është penguar vendosja e muralit.








