Të premten, Arbnor Morinës i erdhi një email.
Por, përmbajtja e tij, nuk ishte me udhëzime për punë ditore.
Kompania “Telkos” atë e njoftoi, se është njëri nga përfituesit e pagës së 13-të.
E gjitha kjo, pasi Arbnor Morina ka një dekadë që punon në kompaninë e cila ofron shërbime të internetit dhe televizionit kabllor.
“Është e mirëseardhur, kemi kontribuar në këtë kompani, kompaninë e kemi pasur edhe si familje të dytë, se më shumë kemi nejt në TELKOS sesa me familje. Është shumë e mirëseardhur, shumë stimuluese”, tha Morina.
E fatin e Morinës, e kishin edhe gjithë punëtoret e tjerë të cilët punuan në “Telkos” për 10 vjet.
E gjitha kjo, në 10 vjetorin e themelimit të kompanisë.
“Shënimi i 10-vjetorit të themelimit të TELKOS është një moment i veçantë për kompaninë tonë. Ne besojmë se suksesi i një kompanie nuk matet vetëm me rezultatet financiare, por edhe me mënyrën se si ajo vlerëson dhe kujdeset për njerëzit që kontribuojnë në rrugëtimin e saj. Pikërisht për këtë arsye, në kuadër të këtij përvjetori, kemi vendosur që punonjësit që plotësojnë 10 vite punë në TELKOS të përfitojnë pagën e 13-të”, deklaroi Enver Berisha, drejtor I TELKOS.
Tutje, Berisha thotë se paga e 13-të nuk është i vetmi përfitim që ofron kjo kompani për punëtorët e saj.
“Përveç kësaj, TELKOS ofron edhe mbështetje financiare për fëmijët e punonjësve përmes shtesave mujore për fëmijë, në vlerë prej 20 euro për secilin fëmijë, deri në moshën 18-vjeçare”, pohoi ai.
Për fund, Berisha ka një falënderim për gjithë ata që kontribuuan në “Telkos”
“Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e këtij rrugëtimi. Suksesi i Telkos është sukses i përbashkët!”, përfundoi ai.
Ndryshe, këtë vit, pagën e 13-të në TELKOS do ta përfitojnë gjithsej 46 punëtorë.






