E pas saj, e prezantuan edhe shfaqjen e përgatitur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në këtë formë u inspiruan fëmijët, kur panë nga afër pasardhësit e UCK-së.
Madje, një tjetër fëmijë, ushtarakët i befasoi edhe me armën e tij.
Krejt kjo, pasi Forca e Sigurisë së Kosovës, të premten i hapi dyert për vizitorët.
Në kuadër të “Ditës së Forcës” qytetarët panë nga afër ushtarakët kosovarë.
E para tyre, u ekspozua edhe një pjesë e armatimit si dhe pajisje të ndryshme të FSK-së.
Krejt kjo, duket se e shtoi sigurinë tek qytetarët.
Në ora 11:00, këtu arritën edhe disa nga krerët e shtetit.
Me të hyrë brenda kazermës “Adem Jashari” në Prishtinë kryekuvendarja, ushtarët e mirëpriten.
E bashkë me Albulena Haxhiun ishte edhe ministrja e drejtësisë, Donika Gërvalla dhe ministri i mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Për rolin e secilës uniformë, krerëve të shtetit, iu foli kjo ushtare e FSK-së.
Atë që e pa për gati një orë këtu, e quajti krenari, kryekuvendarja.
“Si institucionet e Republikës së Kosovës, për sigurinë e fëmijëve, për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, për brezat që po vijnë, do të vazhdojmë angazhimin që ta forcojmë ushtrinë tonë, e që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e NATO-s, pikërisht krah aleatëve, partnerëve që bashkërisht me ne e kanë zhvilluar historinë e Republikës së Kosovës. Nderim dhe respekt të gjithë atyre që dhanë jetën, që sot ne jemi shtet i pavarur e të jemi të lirë, e po ashtu më lejoni që të uroj Ditën e Forcës, pra 27 nëntorin, por edhe 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit”, tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Një mesazh për Serbinë nga këtu, e pati ministrja e drejtësisë.
Gërvalla tha se po synohet forcimi i kufijve.
“Sa më shumë që e forcojmë forcën e sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata të cilët na kërcënojnë me luftë dhe konflikt. Nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd, nuk kemi synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, ta forcojmë sigurinë e qytetarëve të Republikës sonë dhe vendin tonë, deklaroi Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
E ai që i prin mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se investimet për ushtrinë i kanë përqendruar në tri fusha.
“Përkushtimi ynë dhe paraqitja ka qenë që të fokusohemi në blerje të sistemeve të armatimit, në mjetet transportuese, në pajisjet, në gjërat e tjera të nevojshme për ta operacionalizuar ushtrinë, dhe deri më tani janë bërë gati 500 milionë euro investime për blerje të sistemeve të armatimit, transportit dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për operacionalitetin e FSK-së. Fokusi i dytë në investime ka qenë personeli, ku kemi qenë të orientuar në edukimin e forcës së sigurisë së Kosovës, edukimin e personelit të forcës së sigurisë së Kosovës, në rekrutimin e personelit. Tashmë kemi numrin e nevojshëm që ka qenë i paraparë që të rekrutohet deri në vitin 2028, pra kemi përmbyllur këtë pjesë, dhe gjithashtu kemi zhvilluar programe trajnuese. Kurse fusha e tretë ka qenë infrastruktura dhe bazat e reja”, theksoi Ejup Maqedonci, Ministër i Mbrojtjes.
Për vizitë në FSK në prag të festës së 28 Nëntorit, nuk ishte Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula dhe kryeministri, Albin Kurti.






