Në ceremoninë e përurimit të lapidarit kushtuar Jakup Krasniqit, në fshatin Negroc të Drenasit, ka marrë pjesë edhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Në fjalimin e tij, Limaj e ka cilësuar lapidarin si mirënjohje për angazhimin dhe veprimtarinë e Jakup Krasniqit, ndërsa ka theksuar se beteja për drejtësi nuk duhet të shihet vetëm si betejë e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor, por si një betejë e përbashkët.
“E shoh këtë lapidar si mirënjohje për angazhimin dhe veprimtarinë e bacit Jakup, ama beteja që atje po zhvillohet nuk duhet të mbetet vetëm betejë e Jakupit, Hashimit, Kadriut, Rexhës e të tjerëve. Ajo është beteja jonë e përbashkët. Gjërat nuk kanë përfunduar, beteja për drejtësi vazhdon dhe ne të gjithë së bashku duhet të japim atë që dimë dhe mundemi për t’i shërbyer së vërtetës dhe drejtësisë sonë”, ka deklaruar Limaj.
Ai ka kërkuar që simbolika e lapidarit të shërbejë si motiv për mobilizim dhe tejkalim të situatës së krijuar gjatë muajve të fundit.
“Sot, le të na shërbejë kjo simbolikë për t’u mobilizuar dhe për të tejkaluar dramën që kaluam ditët dhe muajt e fundit, sidomos nga 16 shtatori. Është goditja më e madhe që i ka ndodhur Kosovës”, ka thënë Limaj./teve1.info/







