Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe përfundoi para Qeverisë në Prishtinë.
Nën moton “Kundër vrasjes së grave Femicidi është urgjencë kombëtare”, Rrjeti i Grave të Kosovës protestoi duke paraqitur disa kërkesa.
Aktivistet kërkuan që femicidi të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës.
“Femicidi urgjencë kombëtare! Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me e emërtuar atë vrasje si femicid. E hetimi duhet me u kthyer te krejt çka i ka paraprirë asaj vrasjeje. A ka pasur dhunë? A ka kërcënuar dikush? A ja ka kontrolluar lëvizjet, telefonin, paratë? A ka përndjekur kur ajo ka vendosur me u larguar? A ka kërcënuar se ka me ja marrë fëmijët? Motivi gjinor dhe krejt historia e dhunës duhet me u hetuar që në fillim”, tha Zana Hoxha, aktiviste.
Protesta u organizua në shënim të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave. Njëkohësisht, shënoi fillimin e 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
“E dyta që po kërkojmë: Kosova duhet me e krijuar mekanizmin që në botë njihet si ‘Femicide Ëatch.’ Kjo i bie që duhet me u monitoruar krejt rastet e vrasjeve të grave dhe me i analizuar edhe ato të viteve të kaluara. Për secilin rast duhet me ditur: a u raportua ajo dhunë nga ajo grua? Kujt i ishte drejtuar dhe çka kishte bërë institucioni që e ka marrë këtë raportim?”, u shpreh Hoxha.
Ndërkaq, përfaqësuesja e RrGK-së, Besarta Bresnica, kërkoi nga institucionet që femicidin ta trajtojnë me urgjencë.
“Në emër të Rrjetit të Grave të Kosovës dhe 108 organizatave tona anëtare, sot kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës ta trajtojnë femicidin me urgjencën dhe seriozitetin që kërkon”, tha ajo.
Mbështetje të plotë këtyre kërkesave, u dhanë edhe qytetarët pjesëmarrës në protest.
“Duhet të shkojmë e kërkojmë të drejta të plota të grave. Se gratë këtu nuk i kanë të drejtat e plota. Ka diskriminime të mëdhaja të grave, sidomos ato të cilat janë për lindje, po i qesin prej kompanisë”, tha qytetari Fadil Berisha.
“Veprimet e tilla do të dënohen me dënime të rënda jo të dënohen për pak kohe e pastaj të lirohen natyrisht që vrasësit do të vazhdojnë me krimet e tjera”, u shpreh Shukrije Gashi-qytetare.
Protesta zgjati rreth 40 minuta, dhe përfundoi me shpërndarjen e qetë të protestuesve.



