Pas reagimeve për mungesën e mbishkrimit në gjuhën shqipe në tabelën hyrëse të Mega Parkut “Oaza” të Butelit në Maqedoninë e Veriut, qytetarët me vetëiniciativë kanë vendosur mbishkrimin edhe në shqip, duke kërkuar respektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Këshilltari i BDI-së, në Komunën e Butelit, Armend Murseli, tha se, përkundër reagimeve të vazhdueshme në media, rrjete sociale dhe në Këshillin e Komunës, institucionet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë hapa për zgjidhjen e problemit.
Për këtë arsye, banorët shqiptarë të Butelit vendosën vetë mbishkrimin në gjuhën shqipe, duke theksuar se këtë veprim është dashur ta ndërmerrnin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit.
“Me këtë veprim jo vetëm që plotësohet një obligim ligjor, por njëkohësisht sigurohet që qytetarët shqiptarë të lexojnë në këtë hapësirë publike edhe në gjuhën e tyre amtare, e që kjo përbën krenari për ta. Atë që e bënë qytetarët, në fakt, duhej ta bënin Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit. Dhe shtrohet një pyetje e thjeshtë: Pse duhej të krijohej gjithë kjo situatë? Pse duhej të arrihej deri te ky veprim, kur gjithçka mund të zgjidhej në mënyrën më të thjeshtë dhe institucionale, pa nxitur ndarje, pa diskriminuar dhe pa cenuar ndjenjat e asnjë qytetari?” tha; Armend Murseli – Këshilltari i BDI-së, në Komunën e Butelit.
Murseli kërkoi përgjegjësi për moszbatimin e ligjit, duke theksuar se mbishkrimi në shqip është dashur të vendosej që në fillim nga Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit.
Sa i përket mbishkrimit edhe në gjuhën shqipe në parkun “Oaza” në Butel, deri tani nuk ka asnjë reagim nga kryetari i kësaj komune Darko Kostovski./Alsat.mk











