Reshjet e para të borës kanë filluar në disa zona malore të Kosovës, përfshirë Prevallën dhe Bjeshkët e Rugovës.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në segmentet rrugore ku mund të ketë ngrica.
“Ekipet tona të mirëmbajtjes janë në terren 24 orë në ditë, të gatshme për pastrimin e borës dhe trajtimin e ngricave sipas gjendjes së rrugëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Po ashtu, ministria ka rikujtuar se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars.
Drejtuesve të automjeteve u është bërë thirrje që para nisjes të kontrollojnë gjendjen e gomave, të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës, të mbajnë distancë më të madhe dhe të shmangin frenimin e menjëhershëm.







